Policia e Shqipërisë - Foto: Facebook

Shqipëri, kanoset në Rrogozhinë ekipi i televizionit Syri TV

Policia e Shqipërisë, ka njoftuar se Rrogozhinë është kanosur një ekip i gazetarëve të televizionit Syri TV.

Policia njofton se për këtë rast janë shoqëruar në stacion të policisë dy banorë të këtij fshati.

“Rreth orës 11:55, Policia e Rrogozhinës ka marrë një telefonatë për ndihmë, nga ekipi i xhirimit të televizionit Syri TV, pasi gjatë kohës që po realizonin një kronikë, në qytetin e Rrogozhinës, pranë një lokali, 2 shtetas i kishin kanosur dhe iu kishin kërkuar që të largoheshin dhe të mos filmonin ambientin privat”- thuhet në njoftimin e policisë.

Sipas policisë, mediumi në fjalë nuk kanë pranuar të bëjnë kallëzim penal.

“Shërbimet e Policisë, pas marrjes së telefonatës, kanë shkuar menjëherë në adresën e dhënë, ku kanë marrë kontakt me pjesëtarët e ekipit të xhirimit dhe i kanë këshilluar për të bërë kallëzim në Stacionin e Policisë Rrogozhinë, por ata nuk kanë pranuar të bëjnë kallëzim, por janë marrë dëshmitë e tyre mbi rrethanat e ngjarjes”- thuhet në njoftim në facebook.

Tutje policia sqaron se personat e shoqëruar në stacionin policor janë të moshës madhore.

“Ndërkohë, shërbimet e Policisë identifikuan dhe shoqëruan menjëherë në Stacionin e Policisë Rrogozhinë, për veprime të mëtejshme procedurale, 2 shtetasit e përfshirë, konkretisht shtetasit A. M., 65 vjeç dhe A. M., 47 vjeç, të dy banues në Rrogozhinë”- thuhet tutje në njoftim.

Tutje policia e Shqipërisë ka bërë të ditur se e çmon shumë të vlefshme dhe të rëndësishme punën e gazetarëve, si dhe marrëdhënien e tyre me Policinë.

“Prandaj në këtë kuadër i siguron gazetarët se do të kenë gjithmonë mbrojtjen e Policisë, si dhe reagim të menjëhershëm, konform ligjit, ndaj kujtdo që tenton të cenojë apo pengojë gazetarët në përmbushjen e misionit të tyre”- thuhet tuje në njoftim.