Protesta kundër rritjes së çmimeve. Foto Nensi Bogdani/BIRN

Shqipëri, 16 të arrestuar pas protestës paqësore për çmimet e rritura të karburanteve

Policia e Shtetit në Shqipëri njoftoi se kishte arrestuar 16 persona me akuzën e “grumbullimit të paligjshëm”, por aktivistët e akuzuan policinë se po përpiqej të intimidonte protestuesit. Të ndaluarit ishin pjesë e protestës që kërkonte ndërhyrje të qeverisë ndaj rritjes së çmimeve.

Policia e Shtetit njoftoi të enjten se kishte arrestuar 16 persona që morën pjesë në protestën para kryeministrisë, kundër rritjes së çmimeve të karburantit. Në një njoftim për shtyp policia bëri me dije edhe se kishte proceduar penalisht penalisht 5 persona të tjerë.

Policia bëri me dije se të arrestuarit akuzohen për “Organizimi dhe pjesëmarrja në grumbullime e manifestime të paligjshme”, “Prishja e qetësisë publike”, “Mosbindja ndaj urdhrit të punonjësit të policisë së rendit publik” dhe “Pengimi i qarkullimit të mjeteve të transportit”.

Por aktivistët që kanë lajmëruar në rrjetet sociale vijim të protestave e cilësuan ndalimin e 16 qytetarëve si një përpjekje e dhunshme për të frikësuar protestuesit. “Policia e Edi Ramës tenton të intimidojë të rinjtë që protestojnë”, thuhet në një status në Facebook të Organizatës Politike, e cila thotë se dy prej anëtarëve të saj ishin mes të arrestuarve për akuza të sajuara dhe absurde.

Kryeministri Edi Rama këmbënguli më herët këtë javë se rritja e menjëhershme e çmimeve të naftës ishte e lidhur me luftën në Ukrainë dhe se qeveria nuk mund të ndërhynte për të ndryshuar situatën.

Por protestuesit akuzojnë qeverinë se po mbron spekulimin e kompanive të naftës të cilat i konsiderojnë si oligopol. Ata pretenduan se rritja e çmimeve brenda një kohe të shkurtër ishte spekulative. Ndërkohë përfaqësues të opozitës kanë mbështetur protestës dhe kanë fajësuar qeverinë për barrën e lartë fiskale në çmimin e karburanteve.