Shpërthime të reja në Mitrovicën e Veriut

Shpërthime të reja janë dëgjuar në Mitrovicën e Veriut rreth orës 17:50.

Ende nuk dihen arsyet e shpërthimit.

Burime të KALLXO.com thonë se shpërthimet kanë ndodhur te Kodra e Minatorëve.

KALLXO.com raportoi në vazhdimësi për shpërthimet që po dëgjohen në Mitrovicën e Veriut.

Sirena dhe shpërthime janë dëgjuar edhe më herët gjatë pasdites së sotme.

Sipas Policisë, në orët e para të pasdites, në disa zona të Zubin Potokut dhe Mitrovicës së Veriut janë regjistruar disa incidente dhe dyshohet për shkrepje armësh e shpërthime.

Policia ka njoftuar se deri më tani nuk janë raportuar lëndime nga këto incidente, ndërsa raportohet se protestuesit kanë demoluar zyrat e Komisionit Komunal Zgjedhor.

“Me kërkesë të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), sot më datë 6 dhjetor 2022, në komunat Zubin Potok dhe Mitrovicë Veri, Njësitë policore të rendit publik kanë shoqëruar zyrtarët e Komisionit Komunal zgjedhor në zyrat e komisionit komunal zgjedhor, me qellim të kryerjes së detyrave dhe kompetencave të tyre ligjore”- thuhet tutje në njoftim.

KALLXO.com mëson se KQZ ka kërkuar tash e disa ditë që gjatë kësaj kohe kur pritej të vendoseshin zyrtarët e lartë komunalë që janë përzgjedhur për të zëvendësuar ata të dorëhequrit, të kenë edhe mbështetjen e Policisë së Kosovës.

Tutje siç mëson KALLXO.com në momentet kur është tentuar zëvendësimi i zyrtarëve të lartë, është lëshuar alarmi në pjesën veriore të Kosovës.