Ilustrim

Shpërthen një granatë dore në Prishtinë

Sot në Prishtinë në lagjen “Dardania” në rrugën “Dalmatët”, dyshohet se nga shpërthimi i një granate dore, janë dëmtuar tri vetura.

“Rreth orës 06:30, është raportuar se  në rrugën “Dalmatët” në Prishtinë , një veturë është  dëmtuar nga një mjet i dyshuar shpërthyes. Dyshohet që nga shpërthimi të jenë prekur edhe dy vetura të tjera të parkuara përreth”, tha Agron Borovci, zëdhënës i Policisë së Kosovës për rajonin e Prishtinës.

Ai shtoi se Policia menjëherë ka dalë në vendin e ngjarjes dhe nga informacionet e para dyshohet që ngjarja të ketë ndodhur rreth orës 03:00.

“ Ndërkohë që  nuk raportohet për të lënduar. Dëmet materiale dyshohet të kenë ardhur si pasojë e shpërthimit të mjetit shpërthyes që dyshohet të jetë granatë dore”, tha Borovci për KALLXO.com.

Borovci tha se Policia ka nisur ndërmarrjen e veprimeve hetimore për sqarimin e plotë të rrethanave që karakterizojnë ngjarjen.