Dukagjin Nikollaj. Foto: Policia e Kosovës/Facebook

Shpallet në kërkim Dukagjin Nikollaj, i dyshuar për disa vepra penale përfshirë rastin në 'Bon Vivant'

Policia e Kosovës ka njoftuar se ka shpallur në kërkim Dukagjin Nikollaj, nën dyshimin se ai ka kryer katër vepra të ndryshme penale.

Sipas një njoftimi të PK-së, Nikollaj po kërkohet për implikim në veprat penale vrasja e rëndë në tentativë, shkaktim i rrezikut të përgjithshëm, përdorim i armës apo mjetit të rrezikshëm si dhe mbajtja në pronësi kontroll ose posedim të pa autorizuar të armëve.

Policia ka kërkuar nga publiku i gjerë kontributin qytetar që me informacionet e tyre të ndihmojnë lokalizimin e vendndodhjes së të dyshuarve të shpallur në kërkim.

“Ne vlerësojmë lartë bashkëpunimin me komunitetin për një shoqëri pa krim, andaj presim që informacionet tuaja t’i kontribuojnë arrestimit sa më të shpejtë të tyre” – thuhet në njoftim.

Nikollaj dyshohet se ishte i përfshirë në rastin e “Bon Vivant”, në të cilin pas të shtënave të premten e kaluar vdiq një person. Në orët e vona të mbrëmjes së 4 gushtit 2023, Policia kishte pranuar një informacion për të shtëna me armë në këtë lokal që është në qendër të Prishtinës.

Ekipe të shumta policore kishin rrethuar zonën rreth lokalit ndërsa njoftuan zyrtarisht se nga të shtënat me armë kishte të plagosur e të lënduar.

Të lënduarit morën plagë kryesisht nga thyerjet e shisheve e xhamave pas përleshjes që nisi në “Bon Vivant”.

Dosja e Prokurorisë së Prishtinës, e siguruar nga KALLXO.com, tregon momentin kritik që çoi deri në fillimisht plagosje e më pas vrasjen e Kastriot Ramadanit.

Sipas dosjes, Andi Pajaziti, Gëzim Zakuti, Dukagjin Nikollaj dhe tashmë i ndjeri Kastriot Ramadani së bashku me një person ende të paidentifikuar rreth orës 23:17 të 4 gushtit gjendeshin në lokalin “Bon Vivant”.

Sipas Prokurorisë, në afërsi të tavolinës ku ishin duke qëndruar Dukagjin Nikollaj e Kastriot Ramadani si dhe një person tjetër, i cili ende nuk është identifikuar, pranë tyre, duke qëndruar në këmbë, ishin afruar Andi Pajaziti dhe Gëzim Zakuti.

Dosja e Prokurorisë shpjegon momentin kur palët nxorën armët e zjarrit dhe filluan të gjuajnë në njëri-tjetrin.

Fillimisht Kastriot Ramadani me të vërejtur se në lokal kishin hyrë Andi Pajaziti e Gëzim Zakuti nxjerr armën e zjarrit nga brezi, e njëjtë kishte vepruar edhe Dukagjin Nikollaj, i cili nxjerr armën nga një çantë që e mbante me vete, ku për një moment fillojnë të përleshen fizikisht Pajaziti me të pandehurin Nikollaj.

Tutje, sipas dosjes së Prokurorisë, Kastriot Ramadani më një shishe qelqi godet në kokë disa herë të pandehurin Andi Pajaziti, e ky i fundit me armë zjarri shkrep në drejtim të Kastriot Ramadanit. Edhe Kastriot Ramadani kundërpërgjigjet më armë të zjarrit, por nuk është i vetmi, pasi që edhe Nikollaj gjuan me armë zjarri në drejtim të Pajazitit.

Veprime këto që sipas Prokurorisë kanë rrezikuar jetën edhe të personave të tjerë të cilët kishin pësuar lëndime trupore nga predhat e armëve të zjarrit.

Të plagosur të tjerë kishin mbetur edhe Andi Pajaziti e Hisni Gecaj ndërsa plagëve të armës së zjarrit nuk kishte arritur t’u mbijetonte Kastriot Ramadani, i cili edhe kishte ndërruar jetë në QKUK.

Gecaj në përshikrimin e dosjes të Prokurorisë rezulton të jetë pjesëtar i FSK-së.

Gecaj në tërë këtë ngjarje kishte mbajtur në posedim një thikë duke veprar në kundërshtim me ligjin.

13 persona sipas Prokurorisë ishin lënduar nga gotat e thyera të qelqit gjatë përpjekjes për t’u larguar nga vendi i ngjarjes.

Andi Pajaziti sipas Prokurorisë po dyshohet se ka kryer veprën penale – vrasje e rëndë.

Vepër penale e cila sipas Kodit Penal të Kosovës është e dënueshme me jo më pak se 10 vite dënim me burgim ose me dënim me burgim të përjetshëm.

Pajaziti sipas Prokurorisë dyshohet edhe për përdorim të armës apo mjetit të rrezikshëm dhe shkaktim i rrezikut të përgjithshëm.

Në kërkesën për caktimin e masës së paraburgimit Pajaziti del të jetë recidivist i shumë veprave penale.