Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Shkarkimi i shefit të AKI-së, pika ku pajtohen Vjosa Osmani e Avdullah Hoti

Gjatë ditës së sotme Kryeministri Hoti ka kërkuar lirimin nga detyra të drejtorit të AKI-së, Kreshnik Gashi.

Në lidhje me këtë, KALLXO.com ka kërkuar një sqarim edhe nga ana e zyrës së u.d. të Presidentes Vjosa Osmani.

Këshilltari për media i Osmanit, Bekim Kupina ka thënë për KALLXO.com se ka pasur një koordinim mes Osmanit e Hotit në lidhje me lirimin nga detyra të Gashit.

“Ka pasur koordinim dhe dakordim të plotë ndërmjet u.d. Presidentes, dr.Vjosa Osmani dhe Kryeministrit Hoti sa i përket lirimit nga detyra të drejtorit të AKI-së . U.d Presidentja ka kërkuar nga Kryeministri që sa më parë të dakordohen rreth udhëheqësit të ri të AKI-së, mbi bazën e profesionalizmit, paanësisë politike dhe integritetit”, tha Kupina për KALLXO.com.

Në anën tjetër KALLXO.com raportoi gjatë ditës edhe se Shefi i AKI-së gjatë ditës së sotme nuk ka marrë pjesë në një takim me komisionin për mbikëqyrjen e AKI-së pasi që kishte pasur një takim me kryeministrin Hoti.

Ky i fundit ende nuk është deklaruar në lidhje me arsyetimin se pse është kërkuar shkarkimi i Kreshnik Gashit.

Sipas Kushtetutës së Kosovës, emërimi i shefit të AKI-së bëhet nga Presidentja në konsultim me kryeministrin.