FOTO: KALLXO.com

Shehu: Masat e Qeverisë nuk kanë efekt përderisa kufijtë qëndrojnë të hapur

Visar Shehu, nënkryetar i Komunës së Prizrenit, ka thënë se masat e marra nga Qeveria e Kosovës nuk kanë efekt përderisa kufijtë me shtetet fqinje janë të hapur.

Sipas tij, edhe pse po bëhet izolimi i plotë i komunave, dyndjet e qytetarëve nëpër këto shtete janë të mëdha.

“Sa i përket masave që janë marrë dje, ne kemi pasur një takim me IKSHPK dhe Ministrinë. Në valën e parë kemi pasur komunikim më të mirë sesa tash. Karantina herën e  kaluar ka pasur efekte për shkak se kufijtë kanë qenë të mbyllur. Masat që janë marrë vikendin e kaluar duke përfshirë izolimin total, nuk kanë qenë të duhura. Efekti i tyre nuk ka qenë 0 por ka qenë më i keq sepse kufiri ka qenë i hapur. Statistika të sakta nuk di, por në pikën kufitare në Morinë dhe në pikën kufitare me Maqedoninë e Veriut ka pasur rend të gjatë të veturave”, ka thënë Shehu.

Më tej, Shehu ka thënë se 35.5% nga 1,937 teste serologjike të kryera vetëm nga komuna e Prizrenit kanë rezultuar pozitive, gjë që sipas tij është shifër shumë e lartë.

Tutje ai ka tregar situatën me infektime në këtë komunë, duke shtuar se përveç Institutit Rajonal, askush tjetër ende nuk kryen teste PCR.

 

“Ne i kemi aktualisht 362 raste aktive nga 1,208 raste të infektimeve, 68 raste të vdekjeve i kemi pasur fatkeqësisht. Testet PCR bëhen në nivelin qendror, mostrat merren nga IKSHPK rajonale dhe dërgohen në Prishtinë. Laboratore private për PCR teste në Prizren nuk ka ndërsa janë 4 laboratorë që po kryejnë teste serologjike. Gjithashtu edhe komuna është duke kryer teste serologjike, mesatarisht i kemi 85 pacientë në ditë. Nga 1937 teste që janë kryer, 35.5% e pacientëve të testuar kanë rezultuar pozitivë”, ka treguar ai.

Në emisionin “Jeta në Komunë” sot është duke u diskutuar për situatën dhe menaxhimin e COVID-19 në komunat e Kosovës. Të ftuar në debat janë Selami Xhemajli, drejtor i Shëndetësisë në Gjilan, Jeton Zeqiri, drejtor i Spitalit Rajonal të Ferizajt, Petrit Loci, drejtor i Shëndetësisë në Pejë, Visar Shehu, nënkryetar i komunës së Prizrenit.