Bulliqi komenton shtrimin e rrugëve në fshatin e tij në ditën e zgjedhjeve

Dje, edhe pse e diel dhe ditë e zgjedhjeve, në Podujevë kompania e kontraktuar nga pushtetit lokal doli në terren për të shtruar disa rrugë me zhavorr.

KALLXO.com raportoi drejtpërdrejt derisa ekskavatorët shtronin zhavorrin në rrugët e fshatit Lluga.

Nga ky fshat vjen edhe fituesi i zgjedhjeve për kryetar të Komunës së Podujevës, Shpejtim Bulliqi.

 

Ai ka thënë se kishte tendenca që rrugët të shtrohen për vota.

“E pashë atë, ishte në fshatin Lluga, në fshatin tim. Mua, me ju thënë të drejtën, më kanë bë shumë mirë se m’i kanë hjekë goxha do rrugë. Unë u kam thënë disa nëpër takime, që rrugët po ua shtroj unë se po mos të kisha qenë unë kundërkandidat i nënkryetarit, ato rrugë nuk ishin shtruar, se katër vjet i kanë pasë me i zgjidh këto probleme po i kanë lënë në momentin e fundit”, deklaroi Shpejtim Bulliqi në emisionin “Jeta në Komunë”.

Fshati LLuga, shtrimi i rrugeve me zhavor në ditën e zgjedhjeve

“Nuk janë ardh me shtru rrugën time, po me siguri qytetarëve me ua marr ndonjë votë, problemi është se ka pas shumë ankesa, se ua kanë shtru vetëm atyre të LDK-së. Qytetarët nuk e kanë dhënë votën për asfalt”, tha ai.

Ai ka thënë se, gjatë kohës sa në Podujevë zhvillohej fushata zgjedhore, rrugë shtroi edhe Ministria e Infrastrukturës e cila udhëhiqet nga Arban Abrashi i LDK-së.

“Mua më ka brengos involvimi i ministrisë së Infrastrukturës, MI-ja ka ardh ka shktruar rrugë lokale, dy-tre ditë para zgjedhjeve. Shpresojmë që këto rrugë të janë shtruar me kualitet”, deklaroi ai.