Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Bulliqi fton gratë e Podujevës të konkurrojnë për drejtoresha të shkollave

Kryetari i ri i Komunës së Podujevës, Shpejtim Bulliqi, ka premtuar barazi gjinore në Komunën që do ta udhëheqë, të paktën edhe nëntë muaj.

Në emisionin “Jeta në Komunë” ai ka inkurajuar gratë që të aplikojnë në konkursin për drejtorë shkollash.

“Aktualisht, sipas informacioneve që i kam, 25 drejtorë shkollash janë si ushtrues detyre. Unë jam i interesuar nja 50 për qind me e nxjerr, nëse do të jetë interesimi i tyre për të  konkurruar, unë jam i interesuar që t’u krijojmë hapësirë më tepër grave”, ka thënë Shpejtim Bulliqi.

Kryetari i zgjedhur i Podujevës u ka bërë thirrje grave nga Podujeva që të aplikojnë në konkursin për drejtorë shkollash.

“Unë qysh sot po ju bëj ftesë publike, që të gjitha ato gra që mendojnë që i plotësojnë kriteret në barabarësi që të konkurrojnë, unë zotohem që do ta bëj maksimumin që ato me marrë në menaxhim shkollat”, tha Bulliqi.

 

Komuna e Podujevës i ka 11 drejtori ndërsa, tashmë ish-nënkryetari, Nexhmi Rudari ka pasur vetëm një grua në krye të një drejtorie.

Ndërsa, pozita e gruas në Komunën e Podujevës mbetet e ulët, vetëm 31.5 % janë gra të punësuara në Komunë. Ndërsa, në pozita udhëheqëse është 18.2%.