Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Pse ndodhi ndërrimi i pushtetit në Podujevë sipas Shemsi Jasharit?

Komuna e Podujevës ka e ndërruar pushtetin pas 2 dekadave. LDK, e konsideronte bastion Llapin, por njëjtë nuk është pas 29 nëntorit.

Shpejtim Bulliqi, një ish-anëtar i LDK-së, arriti t’i fitojë zgjedhjet, pa balotazh, nën ngjyrat e Vetëvendosjes. Ai rivalë kishte Nexhmi Rudarin nga LDK e Naim Fetahun nga PDK.

Shemsi Jashari nga organizata joqeveritare “Demokracia Fillon këtu” ka thënë se fitorja e Vetëvendosjes në Podujevë ka ardhë pasi një mentalitet qeverisi gjatë pa e ndërruar qasjen ndaj shumë gjërave.

“Gjenerata e re nuk ka pasur ndonjë mundësi që të marrë përgjegjësi, pushteti që 20 vite nuk ka ndërruar qasjen, ka qenë e natyrshme që të akumulohet një mllef te qytetarët, e sidomos te gjeneratat e reja dhe e kanë bërë ndryshimin”, tha ai në emisionin “Jeta në Komunë”.

 

Ai ka shprehur edhe pritjet nga kryetari i ri i Komunës së Podujevës.

“Unë e kam thënë e dua ndryshimin, ndryshimi i është dashtë Komunës së Podujevës. Ajo që unë pres, është që ta ndryshojë qasjen ndaj qytetarëve, publikut e organizatave joqeveritare”, ka thënë ai.

“Pres që të shihet shoqëria civile si partner e jo si kundërshtar. Nga pushteti i kaluar, nuk jemi pa me sy të mirë”, tha Jashari.