
Shefi i Zyrës së BE-së takon Albin Kurtin
Shefi i Zyrës së BE-së në Kosovë, Tomáš Szunyog dhe zëvendësi i tij, Riccardo Serri, janë pritur sot nga kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, njëherësh kandidat për kryeministër në zgjedhjet e fundit në Kosovës, si dhe kandidaten për deputete, Fitore Pacolli dhe asistenten ekzekutive, Valë Gjonbalaj.
Në njoftimin e LVV-së thuhet se Szynyog e uroi kryetarin Kurti për fitoren në zgjedhje dhe ai ka shprehur dëshirën që institucionet e reja në Kosovë të formohen sa më shpejtë dhe të fillojnë bashkëpunimi me qeverinë e re.
Kurti duke e falënderuar për urimin i tregoi Shefit të Zyrës së BE-së prioritet e qeverisë së re.
“Krahas punësimit dhe drejtësisë në qendër është luftimi i krimit dhe korrupsionit, bashkë me ligjin për konfiskimin e pasurisë. Këto të fundit janë të rëndësishme për të aplikuar për fondet nga IPA III”, thuhet tutje në njoftim.
Kurti gjithashtu ka kërkuar ndihmë për të përshpejtuar procesin e furnizimit me vaksinë kundër COVID-19 nga BE, për të cilat shefi I Zyrës së BE-së tha se janë në plan t’ i marrin.