Shefi i OSBE-së në Kosovë: Përkrahim thirrjen e BE-së për zgjedhje në veri

Shefi i misionit të Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë – OSBE në Kosovë, Michael Davenport ka zhvilluar sot një takim me emisarin për dialog nga Bashkimi Evropian, Mirosllav Lajçak.

Davenport ka thënë se në takim kanë theksuar rëndësinë e progresit të dialogut dhe pjesëmarrjen e plotë e të gjitha komuniteteve në institucione dhe zgjedhje.

“Me Mirosllav Lajçak sot theksuam rëndësinë e progresit në dialogun e ndërmjetësuar nga BE dhe pjesëmarrjen e plotë e të gjitha komuniteteve në institucione dhe zgjedhje. Misioni i OSBE-së në Kosovë qëndron fortë përkrah misionit të NATO-s në Kosovë, KFOR-it dhe EULEX-it në përmbushje të mandateve tona përkatëse në Kosovë” – ka shkruar Davenport.

Ai ka thënë se OSBE do të mbështesë institucionet e Kosovës, përfshirë Komisionin Qendror të Zgjedhjeve.

“Mbështesim fuqishëm thirrjet e  BE-së për de-përshkallëzimin dhe mbajtjen e zgjedhjeve gjithëpërfshirëse në komunat veriore. OSBE në Kosovë do të mbështesë institucionet e Kosovës, përfshirë Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, për të ofruar integrim dhe dialog duke përfshirë të gjitha komunitetet” – ka deklaruar Davenport.

Mbajtja e zgjedhjeve në komunat veriore ka qenë temë diskutimi edhe në takimin e kryeministrit Albin Kurti me emisarët Mirosllav Lajçak dhe Gabriel Escobar.

Pas takimit të djeshëm Lajçak përsëriti edhe njëherë kërkesat e BE-së, karshi palës kosovare.

“Ne kemi paraqitur propozime në emër të bashkësisë ndërkombëtare që përmban tre elemente: E para: shtensionimi i situatës në terren. E dyta: zgjedhje të reja të shpejta në veri, dhe së treti: rikthimi në dialog dhe procesi i normalizimit” – ka thënë Lajçak pas takimit.

Ndërsa Escobar theksoi se nuk ka parë kaq shumë unitet në komunitetin transatlantik dhe se pothuajse çdo mik i Kosovës ka bërë të njëjtat kërkesa.

“Nuk kam parë kaq shumë unitet në komunitetin transatlantik, nga SHBA, Bashkimi Evropian, NATO dhe pothuajse secili mik i Kosovës kanë bërë të njëjtat kërkesa. Shpresoj që do të dëgjohemi. Jemi në fillim të misionit tonë” – ka deklaruar Escobar.

Faktorët ndërkombëtarë kanë theksuar disa kërkesa në lidhje me shtensionimin e situatës në veri, ndër to janë edhe mbajtja urgjente e zgjedhjeve të reja në katër komunat veriore, sigurimin e pjesëmarrjes së serbëve në këto zgjedhje dhe fillimi i punës për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

Një ndër kërkesat e SHBA-së ka qenë që kryetarët e zgjedhur të mos e ushtrojnë detyrën e kryetarëve në objekte komunale por në ndërtesa alternative.

Madje SHBA ka përjashtuar ushtrinë e Kosovës nga ushtrimi “Defender Europe 23” si pasojë e ‘mosdëgjimit’ nga Qeveria e Kosovës.

Që nga mesdita e 26 majit serbët lokalë të komunave veriore të Zubin Potokut, Zveçanit dhe Leposaviqit janë grumbulluar dhe kanë protestuar duke kundërshtuar  vendosjen e kryetarëve të rinj në objektet komunale.

Katër kryetarë shqiptarë u zgjodhën në krye të katër komunave me shumicë serbe në veri të Kosovës. Betimin si kryetar komune, përveç kryetarit të Komunës së Mitrovicës së Veriut, i cili u betua në objektin e komunës, tre kryetarët e tjerë nuk e bënë në objektet e komunave por në shkolla dhe zyre të bashkësisë komunale.

Në këtë situatë, intervenoi Policia e Kosovës përmes njësiteve speciale. Ata u përplasen me protestues, ndërsa u përdor edhe gazi lotsjellës për t’i larguar turmat nga hyrjet e ndërtesave së komunave.

Tashmë në këto komuna të Kosovës ruajtjen e rendit po e bëjnë edhe trupat paqeruajtëse të NATO-s, KFOR-i.

Mirëpo, javën e kaluar ka pasur edhe përleshje mes protestuesve dhe trupave të KFOR-it, dhe dhjetëra ushtarë të KFOR-it kanë mbetur të lënduar.

SHBA-ja dhe BE-ja vazhdimisht kanë kërkuar shtendosje të situatës në veri të Kosovës.