Shefi i Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Tomas Szunyog Foto: KALLXO.com

Shefi i BE-së viziton veriun: Dëgjova perspektiva të ndryshme për situatën aktuale në terren

Shefi i Zyrës së Bashkimit Europian në Kosovë, Tomas Szunyog, ka zhvilluar sot një vizitë në veri të Kosovës.

Ai tha se ka dëgjuar zëra dhe perspektiva të ndryshme për situatën aktuale në terren.

Sipas Szunyog, zhvillimet e fundit janë një kujtesë e ashpër dhe tragjike e asaj që është në rrezik për njerëzit që jetojnë në veri të Kosovës.

Ai tutje tha se ka theksuar rolin dhe rëndësinë që kanë aktorët vendas në kontributin në uljen e tensioneve në këtë moment, sipas tij, kritik.

 

Zëdhënësi i Bashkimit Europian, Peter Stano dje ka thënë se prioriteti i parë dhe kryesor për të gjithë është shtensionimi dhe stabilizimi i situatës në veri.

Sipas Stanos, janë dy zhvillime shqetësuese ditëve të fundit, sulmi terrorist i 24 shtatorit dhe zbulimi i një grumbulli të madh armësh në veri të Kosovës.

Më 24 shtator 2023 një sulm terrorist u krye në Banjskë të Zveçanit.

Afrim Bunjaku, rreshter i Policisë së Kosovës, u vra, një polic tjetër u plagos e një tjetër u lëndua nga ky sulm, ndërsa Policia u sulmua disa herë radhazi nga grupi terrorist deri sa këta të fundit ikën në drejtim të Serbisë.

Në ditën kritike Policia sekuestroi 24 automjete, dy autoblinda e arsenal të madh armatimi luftarak që i kishte grupi terrorist.

Tre persona nga ky grup u vranë e disa të tjerë u arrestuan. Trupat e tre të vrarëve iu dorëzuan më 30 shtator 2023 familjarëve të tyre, pas përfundimit të procedurave të nevojshme nga organet kompetente.

Ish-nënkryetari i Listës Serbe – partia më e madhe e serbëve në Kosovë që ka edhe mbështetjen e Qeverisë serbe – Millan Radoiçiq, ka marrë përgjegjësinë për sulmin ndërsa ka dhënë dorëheqje nga posti në partinë që i përkiste.

Radoiçiq tha se të gjithë skenarin e kishte bërë vet dhe askujt nuk i kishte treguar. Këto pretendime i njëjti i bëri përmes një letre të cilën e lexoi të premten pasdite avokati i tij i autorizuar, Goran Petronijeviq.

Sulmin terrorist të 24 shtatorit e dënuan ashpër edhe ndërkombëtarët.