Ilustrim

Sfidat në krijimin e minibibliotekës së parë rome në Kosovë

Ka tashmë më shumë se dy javë që kur Qendrës Kulturore Rome në Prizren i është shtuar minibiblioteka e parë rome në Kosovë, e cila mban mbi 180 libra të autorëve vendorë dhe ndërkombëtarë.

Mësimdhënësja e gjuhës rome, Urma Menekshe, është ajo e cila me vetiniciativë dhe nën përkrahjen e Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit ka realizuar këtë gjë.

Menekshe ka rrëfyer për KALLXO.com se mungesa e librave dhe përrallave në gjuhën rome në Kosovë të cilat i ka hasur gjatë punës së saj e kanë shtyrë për të marrë këtë nismë.

“Libri është ai që e fuqizon gjuhën, për atë librat romë dhe përallat rome duhet t’i kemi për të fuqizuar dhe mësuar nxënësit dhe gjenaratat rome që të ëndërojnë të lexojnë, të hulumtojnë dhe të flasin në gjuhën rome. Kështu, qëllimi i këtij projektit është të hulumtojë më shumë për dokumentet, librat, përallat, historitë dhe poezitë në këtë gjuhë”, ka shpjeguar ajo.

Mirëpo kjo mësimdhënëse pohon se gjatë gjatë punës katërmujore për kompletimin e kësaj minibiblioteke nuk kanë munguar as sfidat, e që njëra nga to ka qenë edhe mungesa e njohurive të shumta për autorët romë.

“Pas  përfıtimit nga  pako ringjalljes  fillova të hulumtoj rreth poetëve dhe autorëve romë. Mirëpo, njohuritë e mia    nuk ishin të mjaftushme. Atëherë, organizova një tryezë të rrumbullaket me intelektualët romë, të cilët më kanë mbështetur duke më treguar autorë të ndryshëm të cilët janë ndërkombëtar dhe vendas”, ka shtuar ajo.

Problem më i madh gjatë punës katërmujore Menekshe rrëfen të ketë qenë edhe mosprezenca e këtyre autorëve në Kosovë.

“Sfida më e madhe ishte që të gjithë autorët nuk ishin në Kosovë dhe isha e detyruar të gjej kontakte në mënyra të ndryshme për të arritur deri te blerja dhe botimi i librave të tyre”, është shprehur Menekshe.

Po ashtu, Urma tregon se është përpjekur që kjo minibibliotekë të jetë e pasur me një larmi përmbajtjesh dhe zhanresh.

“Librat janë: Përallat  në gjuhën rome, poezitë në gjuhën rome, Historia e gjuhës Rome. Jam foksuar më shumë në këto sepse jam mësimdhënse e mësimt fakultatif të gjuhës kulturës dhe historisë rome”, ka treguar ajo.

E pyetur për kureshtjen nga ana e lexuesve, Menekshe është përgjigjur duke thënë se interesimi nga ana e qytetarëve ka qenë i madh ngaqë ata kanë pasur mundësinë që gjejnë librat të cilat nuk i kanë parë më herët.

Rëndësinë e këtij projekti të Menekshe e ka pohuar edhe aktivistja për të drejtat e komuniteteve rom ashkali dhe egjiptian, Kendiza Lala.

Ajo vlerëson se hapja e kësaj minibiblioteke do të kontribojë në promovimin e kulturës rome.

“Minibibloteka në Prizren do ngris tutje ofrimin e materialeve pa kosto, një guidë që drejton lexuesin ne histori, dhe më e rendesishmia me fakte dhe te vërteta, jo më pak do të kontribojë në përmirësimin dhe formësimin më të mirë të gjuhës rome përmes librave për gjuhën rome”, ka thënë Lala për KALLXO.com.

Në anën tjetër, Lala ka cilësuar se promovimi i kulturës rome nga ana e shtetit lë për të dëshiruar.

“Në promovimin e kulturës Rome, sa i përket Kosovës nuk është bërë mjaftueshëm. E them këtë duke u bazuar që gjeneratat e prindërve të mi, unë, dhe  gjeneratat e reja nuk kanë mësuar kurrë për kulturat e asnjë komuniteti tjetër, e më hiq për atë rom, egjiptian apo ashkali”, ka thënë ajo.

Të njëjtin problem rreth mungesës së promovimit të kulturës rome ajo e sheh edhe nëpër muzetë publikë.

“Edhe muzetë tona publike, nuk kanë asnjë pjesë të asaj që përfaqëson kulturën e rome, në to gjen vetëm ato shqiptare. Ndërsa mini-muzetë me gjësende të vjetra Rome zakonisht janë në një cep të ndonjë organizate që drejtohet nga vetë Romët”, ka shtuar Kendiza.

Tutje ajo është shprehur se e sheh të nevojshme përkrahjen dhe përfshirjen e kësaj kulture në përditshmëri dhe ngjarje kulturo-artistike.

“Kulturës dhe historisë rome mund t’i ndihmoj involvimi i saj në librat shkollorë, përkrahja e dyfishtë e talenteve të rinjë në shkollat e muzikës, suportimi i mediumeve, ribotimi i fjalorthëve, përkrahja e artistëve të rinjë dhe iniciativave të reja që e ri-ngjallin traditat, zakonet, artizanatet e kulturës Rome, e sidomos ato që vijnë nga vetë gratë e këtyre komuniteteve”, ka thënë ajo përmes përgjigjes me shkrim.

Përpos gjuhës rome, këta libra janë të çasshëm edhe në përkthime të gjuhës shqipe, serbe, kroate, hungareze, gjermane, angleze dhe në gjuhën turke.

Ndërkaq, Menekshe ka bërë të ditur se është në pritje të disa librave të rinj dhe përmbushja e kësaj minibibliotekë do të vazhdojë. Ajo ka theksuar se nëse vazhdon të rritet numri i këtyre librave, synimi i saj do të jetë që kjo minibibliotekë të shndërrohet në një bibliotekë serioze me hapësirë më të madhe.