Serbia mund të mësojë nga Gjermania përsa i takon pendimit të pasluftës

Në Serbi nuk ka pasur pranverë që nga ndërhyrja e NATO-s në Jugosllavi në 1999 pa një diskutim të nxehtë mbi ligjshmërinë dhe pasojat politike të fushatës së bombardimeve të aleancës ushtarake perëndimore, e cila erdhi si përgjigje e dhunës së tepërt që forcat jugosllave përdorën kundër shqiptarëve etnikë në Kosovë, e cila në atë kohë ishte provincë e Serbisë.

Çdo vit, nga 24 marsi, kur filloi bombardimi i NATO-s, deri më 9 qershor, kur operacioni ushtarak përfundoi me nënshkrimin e të ashtuquajturës Marrëveshje e Kumanovës që lejoi Kombet e Bashkuara të merrnin përsipër administrimin e Kosovës dhe urdhëroi tërheqjen e përhershme të forcave jugosllave, ka disa ngjarje përkujtimore të sponsorizuara nga shteti të shoqëruara në mënyrë të pashmangshme nga deklarata që promovojnë narrativën unike të Serbisë për atë që ndodhi.

Kjo narrativë përqendrohet te NATO-ja si agresori, viktimat serbe të bombardimeve dhe ndëshkimi kolektiv i popullit serb. Sa i përket luftimeve në vetë Kosovë, narrativa përqendrohet në operacionet serbe kundër terroristëve shqiptarë.

Ata që sfidojnë këtë diskurs dominues duke theksuar perspektivat e komuniteteve shqiptare të Kosovës dhe duke kujtuar krimet e luftës të kryera nga forcat serbe etiketohen pothuajse gjithmonë si tradhtarë, gënjeshtarë dhe mercenarë të huaj.

Ky vit nuk ishte ndryshe. Në prag të përvjetorit të fillimit të bombardimeve të NATO-s, Transmetuesi Publik Serb RTS transmetoi intervista me dy ish-zyrtarë të cilët u dënuan nga Gjykata Penale Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë për krime kundër njerëzimit dhe krime lufte në Kosovë, Nikola Sainoviç dhe Vladimir Lazareviç, duke u dhënë atyre mundësinë të mohonin se ishin kryer krime.

Një këndvështrim ndryshe për luftën e Kosovës erdhi nga ambasadori aktual i Gjermanisë në Beograd, Thomas Schieb, i cili tha javën e kaluar se ishte i vetëdijshëm se bombardimi i Jugosllavisë ishte i diskutueshëm, pasi nuk kishte asnjë autorizim të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, por që vendimi “duhej të merrej në mënyrë që të parandalohej një katastrofë humanitare” dhe të shmangej gjenocidi.

Edhe pse mendime të tilla nuk janë diçka e re, fjalët e Schieb u pritën me kritika të forta në Serbi, veçanërisht nga politikanët, si nga qeveria ashtu edhe nga opozita. Pati thirrje për dëbimin e ambasadorit gjerman, akuza se ai po përdorte gjuhën e forcave okupuese të Luftës së Dytë Botërore dhe paralelet e bëra midis bombardimeve naziste të Serbisë në 1941 dhe fushatës ajrore të NATO-s të vitit 1999. Presidenti serb Aleksandër Vuçiç tha se deklarata e Schieb ishte e pavërtetë.

Por në vend që të shpërfillin krimet e kryera nga forcat serbe në Kosovë para dhe gjatë bombardimeve të NATO-s, ka disa gjëra që politikanët e Serbisë mund të mësojnë nga homologët e tyre gjermanë.

Të bësh krahasime midis Luftës së Dytë Botërore dhe shpërbërjes së Jugosllavisë, veçanërisht luftës në Kosovë, është e pamundur sepse konteksti historik, ideologjitë e përfshira dhe shkalla e krimeve janë të pakrahasueshme – por ajo që këto konflikte kanë të përbashkët është se shkeljet që janë kryer janë të dokumentuara shumë mirë.

Një seri vendimesh u dhanë nga gjykatat vendase dhe ndërkombëtare që përcaktuan përgjegjësinë e shtetit gjerman dhe të lidershipit ushtarak për krimet e kryera gjatë Luftës së Dytë Botërore dhe më pas përgjegjësinë e lidershipit ushtarak jugosllav dhe të Serbisë për atë që ndodhi gjatë konfliktit në Kosovë.

Por përgjigjet nga Gjermania dhe Serbia, për sa i përket llogaridhënies, pranimit dhe përkujtimit, kanë qenë jashtëzakonisht të ndryshme.

Në lidhje me llogaridhënien

Menjëherë pas luftërave, pati presion ndërkombëtar ndaj të dy vendeve që këto të fundit të ndiqnin penalisht krimet e luftës duke ngritur gjykata speciale – në Nuremberg dhe në Hagë. Kjo u pranua padashur si në Berlin në vitet 1950 ashtu edhe në Beograd në fillim të viteve 2000. Paralelisht, me mbështetjen e ndërkombëtarëve, gjykatat vendase u ngritën për të ndjekur penalisht të dyshuarit e tjerë për krime lufte.

Fillimi i procesit ishte i vështirë në Gjermani, ku ndjekjet e para penale u kryen nga forcat Aleate, në gjykatat e ngritura nga britanikët, francezët, rusët dhe amerikanët në të gjithë Gjermaninë. Shumë nazistë morën edhe amnisti.

Të ashtuquajturit Procese të Frankfurtit në Aushvic, në të cilët 22 oficerë nazistë u gjykuan për krime në kampin famëkeq të përqendrimit, ishin të parët që u mbajtën nga gjykatat vendase gjermane. Gjermania më pas reformoi strategjinë e saj të ndjekjes penale, duke bërë të mundur që qindra roje dhe oficerë kampi të ndiqeshin penalisht.

Ndjekjet penale nuk kanë pushuar që nga ajo kohë dhe vetëm këtë vit, prokurorët gjermanë filluan dy çështje të reja kundër një gruaje 94-vjeçare dhe një 100-vjeçari të akuzuar për përfshirje në mizori në kampet e luftës.

Në Serbi, nuk ka pasur raste të reja të mëdha për krime të kryera gjatë luftës në Kosovë 1998-1999 në gjashtë vitet e fundit. Gjyqi më i madh, për masakrat në katër fshatra të Kosovës, filloi në 2011 dhe është ende në vazhdim. Dy të pandehur kanë vdekur gjatë gjykimit, njëri është larguar dhe njëri është konsideruar i papërshtatshëm për t’u gjykuar për shkak të sëmundjeve.

Ndërkohë ushtari i fundit që Serbia dënoi për krime lufte në Kosovë nuk u paraqit të vuante dënimin e tij me burg vitin e kaluar dhe vendndodhja e tij nuk dihet.

Serbia gjithashtu refuzon të ndjekë penalisht komandantët për përgjegjësinë komanduese për krimet e kohës së luftës, duke argumentuar se kjo shkelje nuk ishte e përkufizuar në legjislacionin e epokës së Jugosllavisë dhe se ajo u prezantua vetëm në vitet 2000. As zyrtarët serbë nuk bashkëpunojnë me Kosovën në ndjekjen penale të krimeve të luftës, pasi Beogradi nuk i njeh institucionet e Prishtinës si legjitime, duke bllokuar në mënyrë efektive mundësinë e ndonjë gjykimi të ri në të ardhmen e afërt.

Në lidhje me pranimin

Serbia refuzon të pranojë jo vetëm fushatën e saj të dhunshme kundër shqiptarëve të Kosovës në vitet 1998-1999, por edhe vendimet e gjykatave ndërkombëtare dhe vendase në lidhje me luftën në Kosovë.

Serbët e dënuar nga Gjykata Penale Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë, të cilët kanë vuajtur dënimin e tyre, janë pritur si heronj kur kanë mbërritur në shtëpi.

Ata shpesh shfaqen në programe televizive, citohen nga mediat si analistë, jo si kriminelë lufte, dhe janë të lirë të shpërndajnë propagandën e tyre përsa i takon ngjarjeve të kohës së luftës. Ndërkohë, shteti serb boton librat e tyre dhe i fton ata të flasin në ngjarje të profilit të lartë.

Në Serbi, ende nuk ka mirëkuptim që pranimi i vrasjes së 11,000 shqiptarëve në luftën e Kosovës nuk do të cënojë shifrat ose vuajtjet e viktimave civile serbe nga bombardimet e NATO-s, as vrasjet dhe dëbimet e serbëve nga Kosova pas përfundimit të luftës në qershor 1999.

Mohimi i krimeve dhe refuzimi i fakteve të vërtetuara nga gjykatat mbizotërojnë në ligjërimin publik në Serbi dhe nuk ka pasur asnjë përpjekje për ta sanksionuar këtë mohim. Sa i përket konfliktit në Kosovë, revizionistët më të mëdhenj shpesh janë zyrtarë shtetërorë.

Në Gjermani, mohimi i krimeve naziste është një vepër penale. Volksverhetzung, ose nxitja e urrejtjes, është e dënueshme, ndërsa simbolet naziste janë të ndaluara. Por më e rëndësishmja, në nivel shtetëror, nuk ka vend për mohim. Viktimat janë pranuar përmes fjalimeve publike, ceremonive dhe dëmshpërblimeve.

Ambasadori gjerman Schieb e ka demonstruar këtë vetë. Javën e kaluar, duke përkujtuar përvjetorin e bombardimeve naziste të Beogradit më 6 prill 1941, ai shkroi se ndien nevojën për të bërë homazhe për viktimat e krimeve të tmerrshme të kryera në emër të Gjermanisë.

“Është e rëndësishme të ruhet kujtesa për shkatërrimin e madh, urrejtjen malinje dhe ideologjinë e çoroditur që çoi në shkatërrimin e çdo gjëje njerëzore”, shkroi Schieb në gazetën serbe Politika.

“Kjo duhet të shërbejë si një paralajmërim për ne dhe një kujtesë se nuk duhet të ndodhë më kurrë. Pa një kujtesë kolektive dhe një kujtim të gjithçkaje që ka ndodhur, pajtimi i vërtetë nuk është i mundur.”

Në lidhje me përkujtimin

Gjermania nuk i përkujton viktimat e saj vetëm në përkujtimoret e përvitshme, edhe pse asnjë datë e Luftës së Dytë Botërore apo festë herbeje nuk kalon pa deklarata të forta nga figurat më të larta politike që kërkojnë falje dhe deklarojnë se kjo nuk duhet të ndodhë më kurrë.

Vendi ka zhvilluar një kulturë të gjerë përkujtimore rreth mizorive të Luftës së Dytë Botërore, duke hapur muze dhe duke ngritur monumente, si edhe duke shënuar pothuajse çdo vend vrasjesh ose torturash në të gjithë vendin. Monumentet dhe muzetë projektohen me kujdes për të nderuar viktimat dhe për të mos ofruar hapësirë ​​për lavdërimin e kriminelëve të luftës ose ideologjinë naziste.

Teksa ecën rrugëve të Berlinit – një qytet që ka të paktën 20 monumente të mëdha për Holokaustin – mund të shohësh gurë të vegjël bronzi të vendosur në kalldrëm në të gjithë kryeqytetin. Të njohur si “stolpersteine”, ose “gurë që të pengojnë” ka më shumë se 70,000 të illë në më shumë se 1,200 vende në të gjithë botën, por numri më i madh janë në Berlin. Secili përkujton një viktimë jashtë vendbanimit të tij të zgjedhur me dëshirë dhe vendit ku ata vdiqën.

Të dielën, presidenti gjerman Frank-Walter Steinmeier ndoqi përkujtimoret në qytetin Ëeimar për të kujtuar mijëra njerëz që u vranë nga nazistët në kampet e përqendrimit Buchenëald dhe Mittelbau-Dora. Steinmeier tha se “kushdo që nuk kujton më atë që ka ndodhur, ka harruar edhe atë që mund të ndodhë”.

As që mund të imagjinohet që presidenti serb Aleksandër Vuçiç të marrë pjesë në një përkujtimore në qendrën policore në periferi të Beogradit, Batajnica, ku trupat e 744 shqiptarëve të Kosovës u varrosën në një varr masiv në një përpjekje të zyrtarëve shtetërorë dhe ushtarakë për të mbuluar vrasjet e tyre.

Përveç Vuçipit, do të ishte e vështirë të imagjinoje të mbijetuarit, të afërmit e viktimave ose aktivistë të shoqërisë civile që mbajnë një përkujtimore atje, pasi policia serbe rrallë lejon hyrjen në vend.

Në Serbi, njerëzit zyrtarisht lejohen të përkujtojnë vetëm “luftërat çlirimtare”, siç përcaktohet nga ligji për monumentet e luftës. Çdo memorial që do të përfshinte përkujtimin e “humbjes së sovranitetit” nuk lejohet.

Përkujtimoret shtetërore përqendrohen ekskluzivisht në nderimin e viktimave serbe, ndërsa vuajtjet e të tjerëve kujtohen vetëm nga disa aktivistë të shoqërisë civile. Vrasjet kanë ndalur, por lufta e kujtesës vazhdon.

Përvoja gjermane e ballafaqimit me të kaluarën nuk është padyshim një model i përsosur, megjithëse është ndoshta një nga më të suksesshmet. Megjithatë, vendi po përballet me shumë sfida që i kanë rrënjët në antisemitizëm.

Pas luftës, shumë anëtarë të partisë naziste u lejuan të mbeteshin pjesë e aparatit shtetëror dhe të vazhdonin të zotëronin kompani të mëdha, dhe shumë kurrë nuk i mohuan bëmat e tyre të së kaluarës. Sot, idetë neo-naziste dhe të djathta ekstreme janë në rritje, veçanërisht midis policisë dhe shërbimeve të sigurisë, dhe dhuna kundër hebrenjve vitin e kaluar ishte më e lartë se në çdo vit tjetër në tre dekadat e fundit. Megjithatë, vendi i bëri llogaritë me veten.

Presidentit serb Vuçiç i pëlqen ta shikojë Gjermaninë si një model. Ai shpesh mburret për fjalët e reja gjermane që ka mësuar, kompanitë gjermane që ai ka sjellë për të investuar në Serbi, ekuivalentet serbe të autostradave gjermane që  ka ndërtuar dhe progresin e tij në leximin e veprave të sociologut të njohur gjerman Max Ëeber.

Por Vuçiç, i cili ishte ministër i informacionit i Serbisë gjatë konfliktit në Kosovë dhe gjatë bombardimeve të NATO-s, nuk e ka kopjuar ende mënyrën sesi Gjermania kërkoi të korrigjojë të kaluarën e saj të luftës.

Presidentët e njëpasnjëshëm gjermanë kanë kërkuar falje për krimet e kryera nga regjimi nazist. Ka ardhur koha që një president serb të mësojë nga shembulli i tyre. /BI

(Autorja është drejtoresha rajonale e BIRN. Opinionet e shprehura janë vetëm ato të autorit dhe jo domosdo pasqyrojnë pikëpamjet e BIRN)