Foto: Ministria ukrainase e Mbrojtjes / facebook

Rusia, goditje me dronë ndaj Ukrainës

Forcat ajrore të Ukrainës thanë se 16 nga 17 dronët “Shahed” të prodhuar nga Irani e të nisur nga forcat ruse gjatë natës, ishin rrëzuar në zonat jugore dhe lindore të vendit.

Një 56-vjeçar u plagos nga një sulm me dron rus gjatë natës në qytetin e lindjes së presidentit ukrainas Volodymyr Zelenskiy, në pjesën qendrore të vendit, Kryvyi Rih, tha të premten guvernatori rajonal.

Nga rrëzimi, u dëmtuan disa objekte, përfshirë dy godina banimi, tha guvernatori rajonal Serhiy Lysak në aplikacionin e mesazheve Telegram.

Kryetari i bashkisë Oleksandr Vilkul tha se ishin shkatërruar dritaret e disa blloqeve apartamentesh dhe shtëpive private, spitaleve dhe shkollave.

Hedhja e dronëve ishte e fundit në një seri sulmesh, përfshirë goditje për tre netë me radhë ndaj kryeqytetit Kiev këtë javë.

Rusia nuk komentoi mbi sulmet dhe mohon të ketë vënë në shënjestër me qëllim civilët./VOA