Rruga në Drenas që pret asfalt (VIDEO)

Rreth 450 metra rrugë në dalje të Qikatovës së Re në Drenas janë në pritje të asfaltimit.

Në baltën e rrugës “Bajram Kiçina” që krijohet pas të reshurave, banorët që kalojnë në këmbë e kanë më të vështirë qarkullimin.

Sipas banorit Lulzim Desku, për shkak të kësaj gjendje, detyrohen që fëmijët t’i përcjellin për në shkollë me veturë.

Në këtë lagje, ai thotë se janë rreth 18 shtëpia.

“Kushtet e rrugës janë të tmerrshme. Fëmijtë kur shkojnë në shkollë, e kanë problem me kalu, gjatë vjeshtes edhe dimrit duhet me i percjellë me makina se nuk mund të kalojnë” – thotë Desku.

Desku ka bërë të ditur se kanë dorëzuar edhe një peticion në Komunën e Drenasit, me nënshkrime të 15 banorëve.

Ndërkaq, thotë se më datën 2 shkurt 2021, sipas një shkrese nga drejtoria për infrastrukturë publike i kanë njoftuar se “në bazë të mjeteve buxhetore të parapara gjatë këtij viti për zonën tuaj do të investojmë në këtë projekt”.

KALLXO.com ka siguruar pamje nga gjendja e kësaj rruge. Në fotografi dhe video shihet se në disa pjesë të rrugës është grumbullur uji.

Për planet e Komunës që udhëhiqet nga Ramiz Lladrovci, KALLXO.com ka dërguar pyetje por deri në momentin e publikimit të këtij artikulli nuk ka marrë përgjigje.

Këto janë pamjet nga rruga në Qikatovë të Re: