Rrjeti i OJQ-ve AVONET: Plagosja e dy të rinjve është rast makabër

Rrjeti i Organizatave joqeveritare “AVONET” ka reaguar në lidhje me plagosjen e 11 dhe 21 vjeçarit në Shtërpcë.

AVONET thotë se dënojnë këtë vepër dhe kanë kërkuar që autori të merr dënimin e merituar duke shtuar se ky rast nuk guxon që të cenojë bashkëjetesën mes qytetarëve në atë regjion.

“AVONET, dënon fuqishëm këtë veprim makabër dhe kërkon që autori i këtij akti të merr dënimin e merituar dhe veprimet e tilla e cenojnë frymën e mirë të bashkëjetesës. Bashkëjetesa mes komuniteteve është dëshmuar se në Shterpcë dhe në regjionin e Ferizajt janë thellësisht të ndërtuara, e ky rast nuk guxon të lejoj që kjo bashkëjetesë të cenoj raportet mes qytetarëve”- thuhet në reagim.

Gjithashtu, AVONET ka kërkuar që institucionet e Kosovës të trajtojnë me seriozitet rastin.

“AVONET kërkon që institucionet e Republikës së Kosovës që të trajtojnë me seriozitetin më të lartë këtë rast. AVONET, shpreh mirënjohje dhe konsideron se Policia e Kosovës ka treguar efikasitetin më të lartë dhe ka arritur të arrestoj kryesin e veprës. Të plagosurve ju dëshirojmë shërim të shpejtë dhe nesër së bashku të festojmë krishtlindjet e besimtareve ortodoks”- thuhet mes tjerash në reagim.

Në lidhje me rastin Policia e Kosovës ka bërë të ditur se ka arrestuar një të dyshuar me inicialet A. K.

Në një komunikatë për media, Policia thotë se nga i dyshuari, hetuesit kanë gjetur e më pas kanë konfiskuar armën e zjarrit (pistoletë) me të cilën dyshohet se është kryer vepra penale.

Ndërkaq ministri i Mbrojtje, Armend Mehaj ka njoftuar se në këtë rast është i përfshirë një pjesëtar i Forcës së Sigurisë së Kosovës.

Kryeprokurori i Ferizajt, Shukri Jashari në një prononcim për KALLXO.com ka njoftuar se rrugët për të hyrë dhe dalë nga Shtërpca, janë bllokuar nga banorët.

Plagosja e dyfishtë në Shtërpcë, i përfshirë një pjesëtar i FSK-së