Policia konfirmon se është liruar rruga për qarkullim në Shtërpcë

Rruga në fshatin Gotovush në drejtim të Shtërpcës është liruar për qarkullim, e cila u bllokuar pasi qytetarët vendosën pengesa.

Lajmin për KALLXO.com e ka konfirmuar zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e Ferizajt, Kanun Veseli.

Veseli tha se rruga është liruar për qarkullim dhe se për pak pritet që të lirohet edhe pjesa tjetër në Jazhincë.

Bllokimi i rrugëve erdhi pas plagosjes së një 11 dhe 21 vjeçari. Rruga ishte bllokuar përmes vendosjes së disa pengesave që përbënin goma të veturave dhe degë të drunjve.

Gjatë ditës së sotme KALLXO.com ka raportuar se janë plagosur dy persona në Shtëprcë.

Lidhur me rastin, Policia e Kosovës njoftoi se ka arrestuar një të dyshuar me inicialet A. K.

Në një komunikatë për media, Policia thotë se nga i dyshuari, hetuesit kanë gjetur e më pas kanë konfiskuar armën e zjarrit (pistoletë) me të cilën dyshohet se është kryer vepra penale.

Nga A. K. gjithashtu është konfiskuar edhe automjeti i udhëtarëve me të cilën dyshohet se ka lëvizur ai.

Ndërkaq ministri i Mbrojtje, Armend Mehaj ka njoftuar se në këtë rast është i përfshirë një pjesëtar i Forcës së Sigurisë së Kosovës, ndaj të cilit Mehaj tha se do të trajtohet sipas rregulloreve dhe ligjeve që janë në fuqi në Ministrinë e Mbrojtjes dhe FSK-së.

Në këtë link mund të gjeni raportimet e KALLXO.com lidhur me incidentin në Shtërpcë.

Largohen pengesat e vendosura në rrugën për në Shtërpcë