1 muaj paraburgim për të dyshuarin për plagosjen e dy serbëve në Shtërpcë

Gjykata Themelore në Ferizaj i ka caktuar masën e paraburgimit në kohëzgjatje prej 1 muaj, të dyshuarit me inicialet A.K., për plagosjen e dy personave të nacionalitetit serb, të premten me 6 janar në Shtërpcë.

Përmes një komunikate për media, Gjykata ka thënë se ekziston dyshimi i bazuar se A.K., ka kryer tri vepra penale.

“Gjyqtari i procedurës paraprake, kërkesën e prokurorit të shtetit për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurit e ka aprovuar si të bazuar konform dispozitave të KPPRK-së, dhe të njëjtit i është caktuar masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej një muaj” – thuhet në njoftimin e Gjykatës.

Gjykata ka vlerësuar se ekziston dyshimi i bazuar mirë, se i pandehuri më 6 janar 2023, në një fshat të Komunës së Shtërpcës, me dashje ka tentuar që t`i privoj nga jeta të dëmtuarit M.S. dhe S.S., në atë mënyrë që derisa ishte duke lëvizur me veturën e tij dhe me të arritur në hyrje të fshatit, vëren disa qytetar në skaj të rrugës dhe me qëllim që t`i largon, i njëjti bie borisë, në pamundësi që të lëviz tutje e ndal veturën dhe pas një mosmarrëveshje verbale të ndodhur aty për aty e nxjerr revolen dhe shtënë dy herë duke i goditur të dëmtuarit.

Po ashtu, Gjykata ka thënë se i dyshuari në kohë dhe vende të përshkruar si më lartë i pandehuri në kundërshtim me ligjin e zbatueshëm lidhur me armët në Kosovë, ka përdorur armë me leje, në atë mënyrë përderisa ka qenë në veturën e tij, ka shtënë në drejtim të të dëmtuarve M.S. dhe S.S., e që si pasoj e goditjeve të njëjtit pësojnë lëndime trupore, me ç` rast me rastin e kontrollit të kryer nga ana e Policisë së Kosovës, arma së bashku me dy karikator dhe 35 cipë fishekë i sekuestrohen.

Ekziston dyshimi i bazuar se më 6 janar 2023 në Komunën e Shtërpcës, i pandehuri me përdorimin e armës ka shkaktuar rrezik të madhe për jetën e njerëzve, në atë mënyrë që me veturën e tij në pamundësi që të kyqet në rrugën që dërgon në Qendrën e Skijimit, i njëjti kthehet në drejtim të Shtërpcës dhe me revole shtënë pesë herë në ajër.

I dyshuari A.K., ishte arrestuar nga Policia e Kosovës po me datën 6 janar, ndërsa ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj, kishte bërë të ditur se i njejti është pjesëtar i FSK-së.

Kjo ngjarje ka ngjallur reagim të serbëve lokal në Shtërpcë, të cilët po atë ditë për disa orë bllokuan rrugën, ndërsa sot mbajtën një protestë.

Përfundon e qetë protesta në Shtërpcë