Arrest shtëpiak ish pjesëtarit të FSK-së, i akuzuar për plagosjen e dy të rinjëve në Shtërpcë

Azem Kurtaj, ish-pjesëtar i FSK-së, i akuzuar për plagosjen e dy të rinjve në Shtërpcë më 6 janar 2023 është sjellë sot në Gjykatën e Ferizajt.

I njëjti, sot pati mundësinë që të deklarohet rreth fajësisë dhe për këtë u deklarua i pafajshëm.

“Sot është mbajtur seanca fillestare në çështjen e të mbrojturit tonë Azem Kurtaj, në të cilën seancë z.Kurtaj është deklaruar i pafajshëm për veprat penale që akuzohet sipas aktakuzës së prokurorit të shtetit” – tha avokati Naim Ferati që mbron Kurtajn.

Me kërkesë të mbrojtjes, gjykata ka zëvendësuar masën e paraburgimit me arrest shtëpiak.

“Gjykata duke vendosur lidhur me propozimin e mbrojtjes ka vendosur që të ndërpritet masa e paraburgimit dhe të njëjtit i është caktuar masa e arrestit shtëpiak” – tha avokati Naim Ferati.

Sipas aktakuzës që ka siguruar KALLXO.com, 32-vjeçari, dyshohet se më 6 janar 2023, rreth orës 14:15, në fshatin Brezovicë, ka vepruar në kundërshtim me ligjin lidhur me armët në Kosovë.

Sipas aktakuzës, i pandehuri përderisa ka qenë duke drejtuar veturën e tij, në pamundësi që të kyçet në rrugën që shpie për në qendrën e skijimit, ku ishin vendosur disa qytetarë të cilët thuhet se ishin mbledhur për të festuar, Azem Kurtaj tregohet se ka kthyer veturën në drejtim të Shtërpcës dhe sapo është larguar në një distancë të papërcaktuar nga ata persona, në lëvizje e sipër me veturë, përmes dritares, ka shtënë 11 herë në ajër me pistoletë.

Pistoleta thuhet se ka qenë e llojit “Mossberg” model MC2C, kalibër 9X19mm, të cilën ushtari i FSK-së e ka poseduar me leje dhe autorizim.

Përmes këtij veprimi, Kurtaj akuzohet se ka kryer veprën penale – përdorimi i armës apo mjetit të rrezikshëm.

Tutje dokumentet e siguruara tregojnë se në datën e njëjtë, pra më 6 janar 2023, rreth orës 15:00, në fshatin Gotovushë të Shtërpcës, i pandehuri me dashje, me përdorimin e armës, ka shkaktuar rrezik të madh për jetën dhe trupin e njerëzve.

Dosja sqaron se përderisa ka qenë duke drejtuar veturën e tij në drejtim të Brezovicës, me të arritur në fshatin Gotovushë, ai ka hasur në një grup të qytetarëve.

Këta të fundit, sipas aktakuzës, e kishin penguar të akuzuarin Azem Kurtaj dhe ia kishin pamundësuar lëvizjen e lirë të automjeteve në të dy drejtimet meqë thuhet se ishin duke festuar.

Pas kësaj, 32-vjeçarti fillimisht i kishte rënë borisë me qëllim që t’ia lirojnë rrugën, e më pas përmes dritares së automjetit kishte shtënë një herë në ajër si dhe një herë tjetër në drejtim të ulët, pra në tokë.

Predha e plumbit të shkrepur në drejtim të ulët thuhet se kishte goditur asfaltin dhe një pjesë e kësaj predhe kishte goditur njërin nga të dëmtuarit në pjesën e sipërme të krahut të majtë, ndërsa pjesa tjetër e predhës ka goditur të dëmtuarin tjetër në shpinën e shuplakës së dorës së majtë.

Goditjet nga pjesët e predhës bëjnë që dy të dëmtuarit të pësojnë lëndime trupore, të cilat lëndime, sipas aktakuzës, bazuar në mendimin dhe konstatimin e ekspertit mjekoligjor bëjnë pjesë në lëndime të lehta trupore.

Përmes këtyre veprimeve, Azem Kurtaj akuzohet se ka kryer veprën penale – shkaktimi i rrezikut të përgjithshëm.

Fillimisht, sipas dosjes së Prokurorisë, i akuzuari dyshohej edhe për veprën penale – vrasja e rëndë në tentativë, mirëpo sipas avokatit mbrojtës hetimet kanë rezultuar se nuk ka elemente për kryerjen e kësaj vepre penale.

“Masa e paraburgimit ishte caktuar mbi kërkesën e prokurorit të shtetit mbi dyshimin se i pandehuri ka kryer veprën penale “Vrasje e rëndë në tentativë” e pas përfundimit të hetimeve ka rezultuar që nuk janë plotësuar elementet e veprës së cekur më lartë” – ka thënë avokati Ferati.

Pas rastit që kishte ndodhur, qytetarët lokalë të kësaj zone kishin barrikaduar rrugën për hyrje e për dalje nga Shtërpca për ta liruar prapë pas pak orësh, e pas dy ditëve të njëjtit ishin mbledhur për të protestuar.

Shtyhet seanca për rastin e plagosjes së dy të rinjve në Shtërpcë, i dyshuar është një pjesëtar i FSK-së