Dosja e Prokurorisë: Cila armë dyshohet se u përdor në rastin e plagosjes së dy të rinjve në Shtërpcë?

32-vjeçari A.K, i cili është pjesëtar i Forcës së Sigurisë së Kosovës, është arrestuar pas plagosjes së dy të rinjve, njëri 11 e tjetri 21 vjeç në fshatin Gotovushë të Komunës së Shtërpcës. Sipas Prokurorisë, i dyshuari me dashje ka tentuar t’i privojë nga jeta M.S dhe S.S. Ndaj të dyshuarit A.K, Prokuroria e Ferizajt ka kërkuar masën e paraburgimit prej një muaji.

Në kërkesën e paraburgimit të cilën e ka siguruar KALLXO.com thuhet se arma e cila dyshohet se u përdor në këtë rast, është armë me leje e markës “Mossberg” model MC2C, kalibër 9X19mm.

Të dyshuarit, pas kontrollit të Policisë, i është sekuestruar arma së bashku me dy karikatorë dhe 35 copë fishekë.

“I pandehuri në kundërshtim me ligjin e zbatueshëm lidhur me armët në Kosovë, ka përdorur armën me leje të markës “Mossberg” model MC2C, kalibër 9X19mm, në atë mënyrë që përderisa ka qenë me veturën e tij të markës “Golf V”, ka shtënë në drejtim të të dëmtuarve, e që si pasojë e këtyre goditjeve lëndime trupore pësojnë të njëjtit”- thuhet në dosjen e Prokurorisë.

Në kërkesën për paraburgim, të cilën e ka siguruar KALLXO.com, përshkruhet se si ka rrjedhur ngjarja deri te gjuajtja me armë ndaj dy të rinjve serbë, M.S dhe S.S. Aty thuhet se i dyshuari me të arritur në hyrje të fshatit, rreth orës 14:00, ka vërejtur disa qytetarë në skaj të rrugës dhe me qëllim që t’i largojë i ka rënë borisë.

“Në pamundësi që të lëvizë tutje, e ndal veturën dhe pas një mosmarrëveshje verbale të ndodhur aty për aty, e nxjerr revolen dhe gjuan dy herë” – thuhet në kërkesë.

Në dosje thuhet se i dyshuari ka gjuajtur dy herë me revolen e markës “Mossberg” duke i goditur dy të rinjtë.

“E që si pasojë e këtyre goditjeve lëndime trupore pësojnë të dëmtuarit, të cilët fillimisht dërgohen në Shtëpinë e Shëndetit në Shtërpcë, e më pas në Spitalin e Graçanicës” – thuhet në kërkesën e prokurorisë.

Më tej në dosjen e Prokurorisë thuhet se i dyshuari A.K, rreth një orë para se të ndodhte plagosja në Shtërpcë, saktësisht në orën 13:00 të 6 janarit, dyshohet se ka shtënë pesë herë me armë në ajër. Sipas asaj që thuhet nga Prokuroria, i njëjti në pamundësi që të kyçej në rrugën që të dërgon në Qendrën e Skijimit në Brezovicë për shkak se aty ishte një grumbull qytetarësh, ka nxjerrë revolen e markës “Mossberg” dhe ka shtënë pesë herë në ajër.

Sipas Prokurorisë A.K., është i dyshuar për veprat penale, “Vrasja e rëndë në tentative”, “Përdorimi i armës apo mjetit të rrezikshëm” dhe “Shkaktimi i rrezikut të përgjithshëm”.

Dy persona, dyshohet se janë plagosur dje në Shtërpcë. Pak orë pas kryerjes së veprës, i dyshuari, A.K, 32-vjeçar është identifikuar dhe arrestuar nga Policia e Kosovës.

Më pas, rrugët që të çojnë për në Shtërpcë u bllokuan. Banorët bllokuan rrugën duke vendosur goma të veturave dhe degë të drunjve. Në orën 22:00 filloi largimi i pengesave.

Nënkryetari i Listës Serbe, Dalibor Jevtiq, ka thënë se të dielën më 8 janar do të mbahet protestë në Shtërpcë pas rastit të plagosjes së dy të rinjve atje.