Plagosja e dyfishtë në Shtërpcë, i përfshirë një pjesëtar i FSK-së

Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj ka reaguar pas plagosjes së dy personave në Shtërpcë duke thënë se i përfshirë është një pjesëtar i Forcës së Sigurisë së Kosovës.

Mehaj thotë se i njëjti, do të trajtohet edhe sipas rregulloreve dhe ligjeve që janë në fuqi në Ministrinë e Mbrojtjes dhe FSK-së.

“Tani u njoftova se në rastin që ka ndodhur në Shtërpcë është përfshirë një pjesëtar i Forcës së Sigurisë së Kosovës. Me rastin janë duke u marrë organet e sigurisë dhe drejtësisë. I njëjti do ta trajtohet edhe sipas rregulloreve dhe ligjeve që kemi në fuqi në Ministrinë e Mbrojtjes dhe Forcës së Sigurisë”- shkruan Mehaj.

Ministri ka shprehur keqardhje dhe ju ka uruar shërim të shpejtë të plagosurve.

“Shpreh keqardhjen më të thellë për atë që ka ndodhur në Shtërpcë. Të plagosurve, u uroj shërim sa më të shpejtë. Raste si kjo janë të izoluara, por si të tilla nuk guxojnë të ndodhin”- është shprehur Mehaj.

Policia e Kosovës ka bërë të ditur se ka arrestuar një të dyshuar me inicialet A. K. për plagosjen e dy personave në Shtërpcë.

“Policia Rajonale e Ferizajt, pas një pune intensive hetimore, grumbullimit të informacioneve në terren kanë identifikuar e më pas kanë arrestuar të dyshuarin A. K. (M/K) i moshës 33 vjeçar”- thuhet në njoftim.

Sipas policisë, i dyshuari është duke u shoqëruar në Policinë Rajonale të Ferizajt, përkatësisht Sektorin Rajonal të Hetimeve, për veprime tjera hetimore.

Polica njofton se të plagosurit, sipas Policisë janë jashtë rrezikut për jetë.

Plagosja e dyfishtë në Shtërpcë, arrestohet një i dyshuar