Ridvan Kajtazi: Të emërohet kryeprokurori dhe të bëhet kujdes me gjuhën ndaj institucioneve të drejtësisë

Ish-hetuesi policor dhe avokati, Ridvan Kajtazi u ka bërë thirrje institucioneve në Kosovë që të emërojnë kryeprokurorin e shtetit dhe të kursehen në gjuhën drejtuar institucioneve të drejtësisë.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti sot ka kritikuar punën e institucioneve të drejtësisë për të vënë para drejtësisë ata që kanë destabilizuar situatën në veri të vendit.

Kajtazi në emisionin Kallxo Përnime  tha se Qeveria duhet të angazhohet edhe në kushtet e zyrtarëve policor të cilët po shërbejnë në veri të vendit.

“Unë i bëjë thirrje qeverisë që të ndalojnë këtë gjuhë dhe sulmin ndaj institucioneve të pavarura pasi vazhdimisht potencohet puna e prokurorisë. Do të ishte e udhës që qeveria të bëjë zgjidhje për kryeprokurorin. Qeveria duhet të angazhohet edhe për çështjen e sigurisë edhe ata policë të trajtohen më dinjitet sa i përket pagave sepse kemi pakënaqësi” – tha ai.

Ish-hetuesi Kajtazi komentoi edhe zbatimin e planit pesë pikësh të propozuar sot nga kryeministri Kurti.

Ai tha se një plan i tillë duhet të implementohet në koordinim me partnerët strategjik që ka Kosova.

“Zbatimi i planit duhet të bëhet në koordinim me partner strategjik për shkak që nuk mund të zbatohet një plan pesë pikës”- tha ai.