Piramida ne Tirane

Ridizajnimi i Piramidës në Tiranë ndër projektet arkitekturore më të mira të vitit

Ridizajnimi i Piramidës në Tiranë nga simbol i diktaturës shtypëse të Enver Hoxhës në një qendër kulturore e teknologjie, është një nga projektet që ‘Architectural Digest’ e ka futur në listën e ‘Works of Wonder’ si një prej projekteve arkitekturore më të mira të vitit.

“Në qendër të qytetit të Tiranës, banorët dhe vizitorët mund të ngjiten në një piramidë që dikur ishte simboli i një diktature shtypëse – këmbët e tyre shkelin në një triumf mbi të kaluarën” – shkruan CNN.

Projekti për Piramidën është ridizajnuar nga studioja holandeze e arkitekturës MVRDV, e cila është shndërruar nga një ish-muze i rrënuar kushtuar ish-liderit të vendit (dhe më vonë i përdorur si bazë e NATO-s,) në një qendër kulturore me kuti shumëngjyrëshe, shkallë dhe hapësirë për rrëshqitje.

Sipas CNN, ky ridizajnim i Piramidës është një nga 18 projektet e reja të arkitekturës që ‘Architectural Digest (AD)’ e ka cilësuar si më spektakolarët e vitit përmes listës vjetore “Works of Wonder” ose “WOW” në publikimin e shkurtit.

“Në një kohë kur ndërtimet e reja vazhdojnë të lënë gjurmë të mëdha karboni – arkitektura ekzistuese mund të përshtatet për të ardhmen” – u shpreh Sam Cochran, drejtor i karakteristikave globale të AD.

“Përmes ndërhyrjeve të kujdesshme të projektimit, firma holandeze MVRDV ka dëshmuar se nuk është thjesht e mundur të përdoren ndërtesat e vjetra në përdorim të ri, por të bëhet kjo me një ndjenjë gëzimi, zgjuarsie dhe argëtimi” – shtoi Cochran.

Çdo vit, lista WOW nxjerr në pah projekte të reja të jashtëzakonshme në mbarë globin, me projektet e paraqitura që vijnë nga kontinente të ndryshme.