Albin Kurti - Isa Mustafa

Referendumi i LVV-së, afro 4 për qind e anëtarëve votuan kundër koalicionit me LDK-në

Komisioni zgjedhor i Lëvizjes Vetëvendosje ka bërë të ditur se me shumicë dërrmuese të votave është votuar koalicioni LVV-LDK, në referendumin që është mbajtur sot.

Sipas një njoftimi të LVV-së, “për” kanë votuar 95.99 për qind e anëtarëve, “kundër” 3.64 për qind, ndërkaq të pavlefshme kanë qenë 0.37 për qind e votave,

“Në zgjedhjet e jashtëzakonshme të mbajtura sot sipas parimit “një anëtar-një votë”, baza e Lëvizjes VETËVENDOSJE! votoi me demokraci direkte për koalicionin e Lëvizjes VETËVENDOSJE! me Lidhjen Demokratike të Kosovës. Ky rezultat dëshmon për vullnetin e madh e të palëkundur drejt ndryshimeve të domosdoshme në qeverisjen e vendit, në përputhje me besimin e dhënë nga qytetarët në zgjedhjet e 6 tetorit”, thuhet në njoftimin e këtij subjekti politik.

Lëvizja Vetëvendosje nuk ka treguar numrin e anëtarëve që kanë votuar në këtë referendum.

Zyrtari për informim i LVV-së, Arlind Manxhuka, tha se ende nuk e ka numrin e anëtarëve që kanë votuar në referendum.

LVV dhe LDK mëngjesin e sotëm kanë nënshkruar koalicionin qeverisës, gati 4 muaj pas zgjedhjeve të jashtëzakonshme të 6 tetorit 2019.

Përveç referendumit të LVV që ka miratuar këtë koalicion, edhe Këshilli i Përgjithshëm i LDK ka votuar në përkrahje të marrëveshjes.