Arkiv - Albin Kurti - Isa Mustafa

Çfarë thuhet në letrën që Mustafa ia ka dërguar Kurtit më 16 mars?

Kryetari i LDK-së Isa Mustafa e ka bërë publik adresimin ndaj kryeministrit Albin Kurti përmes një letre të cilën ia kishte dërguar më 16 mars.

Mustafa ka thënë se letrën ia ka dërguar katër ditë pasi që në zyrën e tij, së bashku me kryeparlamentaren Vjosa Osman dhe zv/kryeministrin Avdullah Hoti, ia kanë bërë me dije Kurtit se mosëheqja e tarifës dhe ashpërsimi i marrëdhënieve me SHBA-të do ta sjellë në pikëpyetje koalicionin.

Ndërkaq në letër thuhet se LDK-ja e ka mbështetur Rezolutën në Kuvend për dialogun dhe nuk do të mbështes në asnjë rast një marrëveshje që prek kufijtë dhe organizimin e brendshëm.

“I nderuari Kryeministër, Kurti – Si partner i koalicionit, unë dhe drejtuesit tjerë të LDK-së ndajmë bindjen se nuk duhet të rrezikojmë partneritetin me SHBA-të. Se duhet ta heqim tarifën dhe Qeveria ta merr përgjegjësinë që i takon në dialog. LDK ka mbështetur Rezolutën në Kuvend për dialogun dhe nuk do të mbështes në asnjë rast një marrëveshje që prek kufijtë dhe organizimin e brendshëm”, thuhet në adresim.

Në letërën e Mustafës tutje thuhet se nuk mund të rrezikohet partneriteti me SHBA-të, për shkak të tarifës.

“Prezenca e fuqishme e SHBA-së në Kosovë është jetike për vendin tonë. Kemi probleme të mëdha me virusin Covid-19. Këtë betejë duhet ta fitojmë bashkërisht. Nuk e kemi bërë koalicionin për ta prishur, por për të bërë ndryshime. Prandaj të lutem për mirëkuptim që tarifa të hiqet gjatë kësaj jave. Mos e kupto këtë si kërkesë të njëanshme por si interes të përbashkët”, vijon letra e bërë publike nga Mustafa.

“Nese vazhdohet kështu, posa ta kapërcejmë këtë situatë emergjente me Virusin, si LDK do të detyrohemi të dalim nga koalicioni, sepse nuk duam të jemi bashkëpërgjegjës të prishjes së marrëdhënieve me aleatin tonë kryesor. Për këtë do ta njoftoj edhe Ambasadorin Grenell”, i kishte thënë Mustafa Kurtit.

Kreu i LDK-së ka shtuar se përgjigjja që e ka marr nga kryeministri Kurti, më 18 mars ishte “shkarkimi në kundërshtim me Marrëveshjen për koalicion, të nënkryetarit të parë të LDK-së, z. Agim Veliu nga pozita e Ministrit të Punëve të Brendshme dhe Administratës Publike dhe shpallja e tij, hiq më pak se, tradhtar në adresimin e tij qytetarëve në mbrëmjen e asaj ditë”.

Kryetari i LDK-së Isa Mustafa ka reaguar lidhur me zhvillimet e fundit politike dhe protestat e qytetarëve përmes ballkoneve, kundër rënies së Qeverisë në krye me Albin Kurtin.

Duke publikuar dy komunikimet e fundit zyrtare me Kurtin, ai ka thënë se pret edhe sot që kryeministri Kurti ta heq tarifën dhe ta anulojë vendimin për shkarkimin e Agim Veliut nga Ministria e Punëve të Brendshme dhe Administratës Publike, dhe të kërkojë falje.

Përderisa Kosova po përballet me pandeminë botërore të virusit Covid–19, vendi tashmë ka hyrë në një krizë politike që shpërtheu me paralajmërimin për rrëzimin e qeverisë përmes një mocioni të mosbesimit nga partneri qeverisës i Lëvizjes Vetëvendosje, Lidhja Demokratike e Kosovës.

Shkarkimi i Agim Veliut – njëri prej zyrtarëve më me ndikim në LDK, nga pozita e ministrit të Punëve të Brendshme dhe Administratës Publike, nga ana e kryeministrit Albin Kurti, pasoi me vendimin e Kryesisë së LDK-së që të mos qëndrojë më në qeverisje me LVV-në.

Mustafa ia jep edhe një shans Kurtit për ta hequr tarifën e ta rikthejë Veliun