Deputeti Driton Selmanaj - Foto: KALLXO.com

Selmanaj për tarifën: Momenti i fundit që Kurti të reflektojë me urgjencë

Deputeti i Kuvendit të Kosovës nga radhët e LDK-së, Driton Selmanaj ka reaguar pas raportimeve se ShBA-të kanë bllokuar 200 milionë dollarë që ishin planifikuar që të investoheshin në Kosovë përmes MCC dhe projektit të gazit, për shkak të mos heqjes së tarifës.

Përmes një publikimi në Facebook, Selmanaj partia e të cilit është në koalicion qeverisës me Lëvizjen Vetëvendosje, ka shkruar se është momenti i fundit që kryeministri Kurti të reflektojë me urgjencë, në të kundërtën, sipas tij kjo qeveri humb kuptimin e vet.

“E përjetuam edhe këtë!!!!!! Lajmi se SHBA-të kanë bllokuar 200 milionë dollarë që ishin planifikuar që të investoheshin në Kosovë përmes MCC (50 milion) dhe projektit të gazit – rreth 150 milionë, është lajmi më i keq që ka marrë Kosova 20 vjet e fundit”, ka shkruar deputeti.

“Jemi mësuar që lajmet e tilla nga SHBA-të, t`i shohim në raport me Korenë e Veriut, Kubën, Kinën, Venezuelën apo Rusinë, por kurrë se kisha menduar dhe besuar që kjo do i ndodh vendit tonë”, ka shtuar Selmanaj.

Deputeti i LDK-së, ka shtuar se vlera monetare e humb rëndësinë karshi dëmit kolateral që Kosova do ta ketë në imazhin ndërkombëtarë të saj.

“Harroni njohjet e reja, harrojeni anëtarësimin e Kosovës në organizata ndērkombëtare, izolimin e kemi ne prag.! Është momenti i fundit që kryeministri Kurti të reflektojë me urgjencë, në të kundërt kjo qeveri humb kuptimin e vet!!”, ka shkruar ai.

Rreth suspendimit të fondeve të Korporatës “Sfidat e Mijëvjeçarit” (MCC), kryeministri Kurti tha se nuk ka njohuri zyrtare për një gjë të tillë.

“Nuk kam njoftim të tillë zyrtar dhe jam pak i hendikepuar, për shkak se njoftimet dhe lajmet e ndryshme që vijnë të pa verifikuara apo gjysmë të verifikuara, nuk e kam as për së afërmi kohën e dikurshme që t’i ndjek”, u shpreh Kurti.

Ai ka shtuar se nuk do të çojë për votim propozimin për heqjen e pjesshme të tarifës, pa një konsensus me partnerin qeverisës, LDK-në.

Edhe presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi i ka bërë thirrje urgjente qeverisë së vendit që të marrë vendim në përputhje me kërkesën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, duke aluduar në heqjen e tarifës 100 për qind për mallrat që importohen nga Serbia dhe Bosnja e Hercegovina.

Reagimi i Thaçit vjen pasi Donald Trump Junior, i biri i Presidentit të SHBA-ve Donald Trump, e ka mbështetur kërkesën e senatorit amerikan David Perdue, për tërheqjen e trupave amerikane nga Kosova.

Sot, David Perdue, senator amerikan, ka kërkuar nga Qeveria e Kosovës që sa më shpejt ta largojë tarifën ndaj mallrave të Serbisë.

“Për më shumë se dy dekada, forcat amerikane kanë ndihmuar në ruajtjen e paqes mes Kosovës dhe Serbisë. Tani, me përparimin historik në horizont, Kosova duhet të bëjë pjesën e vet dhe të shfuqizojë të gjitha tarifat e vendosura ndaj Serbisë”, ka shkruar në Twitter, senatori Perdue që vjen nga Partia Republikane të cilës i përket edhe Presidenti Donald Trump.

Në anën tjetër, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, muajin e kaluar ka thënë se pas konsultës me institucione të ndryshme, ka ardh në përfundim që nga 15 marsit të hiqet tarifa 100 për qind ndaj lëndës së parë nga Serbia dhe Bosnja e Hercegovina.