Foto: ZKM

Coronavirusi "shtyn" koordinimin LVV-LDK për tarifën 100 për qind

Lëvizja Vetëvendosje ka deklaruar se pas kthimit në normalitet nga coronavirusi do ta gjejnë koordinimin me partnerin qeverisës, Lidhjen Demokratike të Kosovës (LDK), për çështjen e tarifës 100 për qind.

Zëdhënësi i LVV-së, Arlind Manxhuka ka thënë për KALLXO.com se tash përqendrimi global është tek epidemia.

“Vendet janë duke marrë masa për ndalime të qarkullimit dhe lëvizjes së zakonshme. Prioritetet e mëdha janë dy: ruajtja e shëndetit dhe e ekonomisë. Kur të rikthehet normaliteti, do ta kërkojmë dhe do ta gjejmë koordinimin me partnerin e koalicionit”, është shprehur ai.

Sipas Manxhukës, edhe për këtë çështje do të gjejnë koordinim “gjithnjë duke patur udhëheqës parimin kombëtar dhe parimin e ruajtjes së aleancës me ShBA-në e BE-në.”

Tarifa 100 për qind ndaj mallrave të importuara nga Serbia si dhe nga Bosnja e Hercegovina ka shfaqur mospajtimet ndërmjet koalicionit qeverisës.

Përderisa LDK po kërkon heqjen e menjëhershme të tarifës, kryeministri Albin Kurti ka thënë se po mundohet ta bind partnerin qeverisës se tarifa duhet të zëvendësohet me reciprocitet.

Zëvendëskryeministri nga radhët e LDK-së, Avdullah Hoti, të dielën ka kërkuar që tarifa të hiqet menjëherë dhe plotësisht.

“Nuk ka vend për taktizim politik me partneritetin tonë me ShBA. Lojërat politike se a jemi me BE apo me ShBA nuk i shërbejnë forcimit të shtetësisë së Kosovës e të lidhjeve me partnerët tanë”, ka shkruar Hoti në Facebook.

Sipas tij, vëmendja duhet të jetë në menaxhimin e situatës së krijuar nga Covid-19, “e jo në lojëra politike që qojnë në distancim të ShBA-së nga Kosova, siç ka nisur me bllokimin e fondeve të MCC-së për Kosovë, të nënshkruara nga Qeveria Mustafa”.

https://www.facebook.com/avdullah.hoti/posts/3123113457749987

Në anën tjetër, kryeministri Albin Kurti ka kërkuar falje që nuk e ka larguar tarifën ndaj lëndës së parë të importuar nga Serbia më 15 mars ashtu siç kishte paralajmëruar në fund të shkurtit.

“Sot, me datë 15 mars 2020, është dashur që të hiqet tarifa 100% në lëndën e parë që importohet nga Serbia. Kjo nuk do të ndodhë sepse qëndrimi im i shprehur më 27 shkurt 2020 ndërkohë nuk u bë vendim. Më vjen keq për këtë. Ende nuk kam arritur ta bind partnerin tonë të koalicionit qeverisës, LDK-në, për atë që vetë jam i bindur: zëvendësimi gradual i tarifës me reciprocitetin është mënyra më e mirë, më e drejtë dhe më e dobishme”, ka shkruar Kurti në Facebook të dielën.

Dy kërkimfaljeTë nderuar qytetarë,Sot, me datë 15 mars 2020, është dashur që të hiqet tarifa 100% në lëndën e parë…

Publiée par Albin Kurti sur Dimanche 15 mars 2020

Ndërkaq, një ditë pas shpërfaqjes së dallimeve në qëndrime të koalicionit LVV-LDK për tarifën, Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Kosovë ka bërë thirrje që në kohën e pandemisë së coronavirusit vendet t’i lënë anash dallimet politike dhe të bashkohen për nevojat e qytetarëve.

“Ne i bëjmë thirrje të gjithë liderëve lokalë dhe ata në rajon që t’i lënë mënjanë dallimet politike dhe të përqendrohen në nevojat e qytetarëve të tyre. Të punosh së bashku dhe të mbështesësh njëri-tjetrin është përgjigjja ndaj kësaj sfide”, thuhet në njoftimin e Ambasadës.

Procesi i negociatave Prishtinë – Beograd mbetet i pezulluar që nga viti 2018, për shkak të vendosjes së tarifës 100 për qind ndaj produkteve serbe dhe boshnjake nga Qeveria Haradinaj.