Qeveria Kurti
Krizë politike në kohë pandemie
Përderisa Kosova po përballet me pandeminë botërore të virusit Covid–19, vendi tashmë ka hyrë në një krizë politike që shpërtheu me paralajmërimin për rrëzimin e qeverisë përmes një mocioni të mosbesimit nga partneri qeverisës i Lëvizjes Vetëvendosje, Lidhja Demokratike e Kosovës.
Shkarkimi i Agim Veliut – njëri prej zyrtarëve më me ndikim në LDK, nga pozita e ministrit të Punëve të Brendshme dhe Administratës Publike, nga ana e kryeministrit Albin Kurti, pasoi me vendimin e Kryesisë së LDK-së që të mos qëndrojë më në qeverisje me LVV-në.
Por arsyeja kryesore për prishjen e koalicionit qeverisës, thuhet të jetë tarifa 100 përqind e vendosur më 2018 ndaj Serbisë dhe Bosnje e Herecegovinës që po ndërlidhet direkt me mundësinë e arritjes së një marrëveshje përfundimtare në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi.
Ndonëse partnerët qeverisës në marrëveshjen e koalicionit, janë pajtuar për zëvendësimin e tarifës me reciprocitet të plotë ndaj Serbisë, LDK-ja në vazhdimësi i ka bërë thirrje Kurtit që ta heq vendimin për shkak të presionit ndërkombëtar dhe “rrezikimit të raporteve me ShBA-në”, kurse kryeministri kishte shprehur gatishmërinë që tarifën ta heq pjesërisht drejt zëvendësimit të masës tjetër.
Lidhur me këto zhvillime, Jeta Krasniqi nga Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) thotë për Gazetën Jeta në Kosovë se paralajmërimi për këtë krizë politike ka qenë i ditur prej momentit kur masat e Kurtit lidhur me tarifën, nuk e gjetën mbështetjen e LDK-së.
“Në vazhdimësi kemi pa që zyrtarë të LDK-së kanë bërë thirrje ndaj kryeministrit për të hequr komplet taksën duke thënë që më përpara bie qeveria sesa preket, kushtimisht bashkëpunimi i Kosovës me ShBA-të”, thekson ajo.
Krasniqi beson se kjo krizë ka të bëjë me tarifën dhe faktikisht me dialogun Kosovë-Serbi.
“Kjo sepse po duket që kemi dy linja, linjën për një marrëveshje më të shpejtë me ndërmjetësimin e ShBA-ve, e cila tashmë është duke u negociuar prej sa kohësh nga presidenti Thaçi dhe nga ana tjetër kemi kryeministrin Kurti, i cili nuk është i interesuar të nënshkruaj një marrëveshje të tillë, duke kërkuar një proces të ri ku i vendos parametrat e marrëveshjes, ku në kuadër të ndërmjetësimit do të jetë edhe BE-ja”, shtoi ajo.
Në anën tjetër, gazetari kosovar Agron Halitaj vlerëson se LDK e LVV me kohë nuk kanë bërë koalicion me përkushtimin për të qeverisur gjatë, por vetëm për ta shmangur një kolaps financiar drejt të cilit po shkonte shteti.
“Pa buxhet të miratuar, nga 1 prilli asnjë organizatë buxhetore nuk do të mund të autorizonte kurrfarë shpenzimi apo pagese. Thjesht shteti do të bllokohej! Dhe, nga momenti kur është miratuar Ligji për Buxhetin, vetëm është kërkuar të gjendet një preteks për vetërrëzimin e Qeverisë”, ka shkruar ai në rrjetin social Facebook.
E preteks, thekson Halitaj siç u pa, u bë shkarkimi i Agim Veliut, posti i të cilit i kushtoi buxhetit të shtetit rreth 400 mijë euro [Mjetet e ndara për zgjedhjet në Podujevë, ku Veliu ishte kryetar komune].
Ai situatën politike e ndërlidhë me tarifën 100 përqind.
“Albin Kurti nuk mundet që nëpërmjet konfliktit me LDK-në ta kamufloj tendencën për ‘tërheqje taktike’ nga pushteti, sepse as Ramush Haradinaj nuk ka mundur ta bëjë këtë gjë duke u thirrur në ftesën nga Gjykata Speciale. Shkaku për rrëzimin e pritshëm të Qeverisë mbetet po i njëjti- TAKSA! Tjerat që thuhen janë vetëm dogma dhe tendenca për shfajësime e hedhje fajësh!”, thuhet në publikimin e gazetarit.
Kurse, Jeta Krasniqi (KDI) shton se për partitë politike u panë se janë më të rëndësishme ngjarjet ditore sesa situata me coronavirusin, nga i cili deri më tani në Kosovë janë konfirmuar 20 raste.
“Gjithsesi mendoj se shkaku i përshpejtimit të kësaj krize politike mund të ketë qenë edhe shkarkimi i zotit Agim Veliu ku u duk që për partitë politike janë më të rëndësishme këto cështje ditore sesa ajo që Kosova është duke u përballur me pandeminë globale Covid -19”, tha ajo për Gazetën JnK.
Teksa kumtoi vendimin e partisë së tij në nismën për ta rrëzuar qeverinë, Isa Mustafa tha se nuk sheh ndonjë mundësi për të shkuar menjëherë në zgjedhje për shkak të pandemisë.
Ndërkaq, kryeministri Kurti në një konferencë për media mbrëmjen e së mërkurës, tha se nuk është i befasuar nga vendimi i LDK-së.
Ndërkohë partitë politike opozitare të enjten kanë deklaruar se e mbështesin LDK-në në iniciativën për rrëzimin e qeverisë.
Qeveria Kurti u miratua me 3 shkurt të këtij viti në Kuvendin e Kosovës, pas më shumë se 100 ditësh negociata LVV-LDK dhe rreth 4 muaj pas zgjedhjeve të parakohshme të 6 tetorit 2019. Këto zgjedhje të parën e renditën LVV-në, e të dytën LDK-në.