Foto: Zyra e Presidencës së Ukrainës

Redaktorja e BBC-së në Ukrainë: Nuk ka më vend të sigurt

    Isha zgjuar natën kur mora një mesazh nga një koleg për fjalimin e Vladimir Putin-it që po shpallte pushtimin.

Më pas filluan menjëherë shpërthimet. Mund t’i dëgjoja nga shtëpia ime dhe njerëzit në pjesë të ndryshme të qytetit filluan të dërgonin mesazhe në grupin tonë WhatsApp, për shpërthimet që po ndodhnin pranë tyre.

 Të kuptosh se vetë Kievi ishte nën sulm, jo vija e frontit në lindje të vendit, ishte një tronditje e madhe.

Nuk ka më vend të sigurt në Ukrainë.

Frika më e madhe për njerëzit e zakonshëm këtu është se do të mbesin pa energji elektrike dhe se interneti nuk do të funksionojë – atëherë do të ishim vërtetë të izoluar. Një frikë tjetër është se urat mbi lumin Dnieper do të bombardohen, duke ndarë gjysmën lindore dhe perëndimore të qytetit.

Shpërthimet vazhduan përreth 30 minuta.

Ia vesha rrobat djalin tim 10-vjeçar. Hëngrëm pak mëngjes, duke u ulur sa më larg dritareve, por ai ishte aq i frikësuar sa volli. Morëm një qiri dhe pak ujë në bodrumin tonë, i cili do të jetë streha jonë nëse gjërat do të përkeqësoheshin.

Ka radhë të mëdha jashtë supermarketeve pranë shtëpisë sime dhe në bankomate, shumë prej të cilave kanë mbetur pa para. Edhe disa pika karburanti tani kanë mbaruar dhe janë mbyllur. Ka një ajër paniku, tani që e dimë se i gjithë vendi është nën sulm.

Rrugët jashtë qytetit janë të bllokuara nga trafiku, por është një udhëtim i rrezikshëm – duke pritur në radhë të gjata trafiku që lëvizin ngadalë, lehtë mund të mbetesh pa karburant larg shtëpisë. Trenat po funksionojnë, por ka turma të mëdha njerëzish që përpiqen të zënë një vend. Hapësira ajrore e Ukrainës është e mbyllur, sipas ligjit ushtarak të prezantuar nga presidenti Zelensky.

Nuk janë vetëm objektivat ushtarake që janë shkatërruar – ne kemi fotografi të ndërtesave të banimit në një numër qytetesh anembanë vendit që kanë marrë goditje direkte.

Bombardimet ruse kanë prekur të gjitha rajonet e vendit. Edhe në Lviv, afër kufirit Polak, sirenat ranë këtë mëngjes dhe një kolegu iu desh të strehohej në një strehë kundër bombardimit.

Një koleg ka marrë familjen e tij nga Kiev-i me shpresën për t’i shmangur sulmet ajrore. Fshatrat mund të jenë më të sigurta se qytetet, por në një vend të sulmuar nga veriu, lindja dhe jugu, këtu nuk ka më vend vërtetë të sigurt./BBC

Marta Shokalo, Redaktore e Shërbimit Ukrainas të BBC-së, Kiev