Reçica: Pandemia e ka vënë në vështirësi tregun e punës

Ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Skender Reçica, tha se pandemia e ka vënë në vështirësi tregun e punës dhe punësimin në Kosovë.

Reçica tha se këtë situatë synojnë ta zbusin përmes Ligjit për Rimëkëmbje Ekonomike, i cili sipas tij do të ndihmojë me mbështetje financiare një numër të madh të punonjësve të cilët kanë humbur vendin e punës.

“Është fakt që, pandemia e ka venë në vështirësi tregun e punës dhe punësimin në Kosovë, mirëpo këtë situatë synojmë ta zbusim sado pak përmes Ligjit për Rimëkëmbje Ekonomike, i cili do të ndihmojë me mbështetje financiare një numër të madh të punonjësve të cilët kanë humbur vendin e punës, ku ne si Ministri e Punës dhe Mirëqenies Sociale, përmes pikës 3 të Planit për Rimëkëmbje Ekonomike, kemi për objektiv subvencionimin në pagë të rreth 2,000 punonjësve dhe gjithashtu do të vazhdojmë me masa aktive të tregut të punës, si dhe trajnime dhe aftësime profesionale”, ka thënë ministri Reçica.

Reçica gjithashtu ka thënë se, problemi kryesor i tregut të punës në Kosovë është mospërputhshmëria e aftësive profesionale me nevojat e fuqisë punëtore të kërkuara nga tregu i punës.

“Ne si MPMS/Agjenci e Punësimit kemi mbyllur disa herë vitin me kërkesën për të mbuluar mijëra vende pune, ndërkaq në regjistrin e punëkërkueseve kemi rreth 200,000 punëkërkues. Prandaj, ai tha se, si Qeveri e Kosovës ne duhet të koordinohemi të gjejmë zgjidhjen e papunësisë në Kosovë, fillimisht të trajtojmë numrin e punëkërkuesve të regjistruar me një plan të veçantë dhe pastaj të krijojmë politika të edukimit bazuar në nevojat e tregut të punës, gjithashtu të fuqizojmë shkollat e aftësimit profesional”, shtoi ai.

Këto deklarata Reçica i bëri gjatë  prezantimit të Barometrit të Tregut të Punës në Kosovë, organizuar në kuadër të projektit “Harmonizimi i Arsimit dhe i Aftësimit me Nevojat e Tregut të Punës – ALLED Faza II”, i financuar nga Bashkimi Evropian dhe bashkë financuar nga Bashkëpunimi Austriak për Zhvillim (ADC), dhe që zbatohet nga Agcioni Austriak për Zhvillim (ADA).

Reçica në fund të fjalës së tij gjatë këtij prezantimit, ka thënë se, janë tejet të përkushtuar të avancojnë dixhitalizimin e proceseve të punës, ofrimin e shërbimeve publike të punësimit gjithashtu shërbimet e trajnimeve profesionale.