Receta e reformimit të LDK-së sipas Lutfi Hazirit

Kryetari i Komunës së Gjilanit njëherësh edhe nënkryetar i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lutfi Haziri, përmes një postimi në llogarinë e tij në rrjetin social Facebook ka shkruar për mënyrën se si duhet të reformohet Lidhja Demokratike e Kosovës në mënyrë që të fitojë përkrahjen e popullit.

Ai ka thënë se reforma duhet të bëhet në të gjitha nivelet, porse kjo sipas tij nuk do jetë e lehtë, pasi e majta ideologjike ka besimin e popullit.

“LDK duhet të hyjë në një proces reformues të pakthyeshëm, në të gjitha nivelet. Në këtë situatë nuk është e lehtë, sepse për herë të parë e kemi humbjen historike dhe është hera e parë që e majta ideologjike e ka marrë besimin e popullit”, ka thënë ai.

Haziri ka thënë se LDK do luftojë të kthejë bastionet e saj dhe do zhvishet nga kërkimi i shpëtimtarëve politikë.

“LDK duhet të zhvishet nga enklavat politike, në kuptimin e kërkimit të shpëtimtarëve politikë. Ne do të luftojmë që t’i rikthejmë bastionet tona, por fitorja në komunat ku kemi qenë edhe më herë fitues, domethënë fitore e betejave të vogla. LDK duhet ta ruaj atributin e partisë urbane, duhet shtrihet fuqishëm në kuptimin e ndikimit të madh dhe të rikthehet kultura elitare politike”, ka shkruar ai.

Sipas të parit të Gjilanit, Lidhja Demokratike e Kosovës do jetë befasia me e madhe e vjeshtës.

“Fatkeqësisht, partitë tona janë ‘fabrika të llafeve’, ku vazhdimisht kërkohet fajtori për ta ‘gozhduar’. Kjo kulturë e të bërit me gisht duhet të largohet dhe të ndërtohet një logjikë uniteti. Jam i bindur se nëse punojmë me unitet, LDK do të jetë befasia më e madhe e zgjedhjeve të vjeshtës”, ka thënë Haziri.