Xhafer Gashi, Jeta në Komunë. Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Reagimi i Xhafer Gashit kur pyetet për emërimin e kushërirës së tij drejtoreshë e Gjimnazit

Besa Gashi Dvorani, kushërira e kryetarit të Komunës së Obiliqit, Xhafer Gashi në mars të këtij viti ishte zgjedhur drejtoreshë e Gjimnazit “17 Shkurti” në Obiliq.

Në emisionin “Jeta në Komunë”, kryetari Xhafer Gashi tha se konkursi ka qenë publik dhe nuk ka pasur ndikim nga ana e tij.

“Konkursi ka qenë i hapur dhe fatmirësisht, kolektivi, prindërit dhe ministria e japin verdiktin rreth përzgjedhjes së drejtorit”, tha Gashi.

Sipas tij, është e palogjikshme që familjarët ta pësojnë për shkak të pozitës së tij në Komunë.

“Pse duhet të pësojë dikush pse është kushërirë e imja, të pësojë në karrierën e saj. Është shumë e pakuptimtë dhe palogjikë”.

Besa Gashi Dvorani në tetor të vitit të kaluar ishe emëruar ushtruese e detyrës së drejtores, ndërsa në mars të 2020 është emëruar drejtoreshë e Gjimnazit “17 Shkurtit” në Obiliq.

Gashi Dvorani kishte thënë për KALLXO.com se e ka kushëri kryetarin Xhafer Gashi por që nuk ka pasur ndikim nga ana e tij në procesin e zgjedhjes së saj në krye të gjimnazit.

“Po, jam drejtoreshë e Gjimnazit në Obiliq.  Kryetarin e Komunës së Obiliqit e kam kushëri. Babai im e ka  djalë të axhës kryetarin e Komunës. Nuk ka ndiku ai aspak, po jam përzgjedh në bazë të kritereve, edhe nuk kam dashtë me marrë këtë pozitë, por stafi kanë kërkuar shumë”, kishte thënë drejtoresha Gashi Dovrani për KALLXO.com.

Të ftuar në studio janë edhe tre asamblistë, dy prej tyre nga opozita, Aziz Bici nga Vetëvendosje dhe Nazmi Gashi nga Nisma Socialdemokrate si dhe nga pozita, kryesuesi i Kuvendit Komunal të Obiliqit, Burim Gërguri.