FOTO- Komuna e Obiliqit

Familjarja e Xhafer Gashit bëhet drejtoreshë në Gjimnazin e Obiliqit

Kushërira e kryetarit të komunës së Obiliqit, Xhafer Gashit në mars të këtij viti është zgjedhur drejtoreshë e Gjimnazit “17 shkurti” në Obiliq.

Besa Gashi-Dovrani fillimisht në tetor të vitit 2019, kishte marrë pozitën e U.D drejtoreshës së këtij gjimnazi, kurse në mars të vitit 2020 ka marrë këtë pozitë.

Gashi-Dovrani për KALLXO.com ka thënë se kushëriri i saj, Xhafer Gashi nuk ka ndikuar që ajo të marrë këtë pozitë.

“Po, jam drejtoreshë e Gjimnazit në Obiliq.  Kryetarin e Komunës së Obiliqit e kam kushëri. Babai im e ka  djalë të axhës kryetarin e komunës. Nuk ka ndiku ai aspak, po jam përzgjedh në bazë të kritereve, edhe nuk kam dashtë me marrë këtë pozitë, por stafi kanë kërkuar shumë”, tha ajo.

Ajo theksoi se ka pasur konkurs për pozitën e saj dhe se ka plotësuar të gjitha kriteret e kërkuara.

“Po ka pasur konkurs të hapur në mënyrë të rregullt dhe kam qenë e vetmja që i kam plotësuar kriteret e kërkuara. Kam të kryer Bachelor dhe Master në letërsinë shqipe që 11 vite punoj aty si profesoreshë, e njoh gjimnazin më mirë se shtëpinë time”, ka shtuar Gashi-Dovrani për KALLXO.com.

Në anën tjetër, kryetari i kësaj komune, Xhafer Gashi përmes telefonit nuk ka pranuar të përgjigjet nëse ka ndikuar që kushërira e saj të bëhet drejtoreshë, por ka kërkuar që pyetjet t’i drejtohen në zyrën për media.

Nga kjo zyre për KALLXO.com kanë bërë të ditur se për pozitën e drejtoreshës së Gjimnazit “17 shkurti” në Obiliq ka pasur konkurs të hapur, por nuk kanë treguar se kush ka qenë pjesë e komisionit vlerësues.

“Konkursi ka qenë i hapur në bazë të ligjeve dhe rregulloreve të parapara, si dhe ka qenë i publikuar në gazetë dhe në uebfaqen zyrtare të Komunës së Obiliqit. Në komisionin vlerësues në bazë të rregulloreve kanë qenë pjesë: një anëtar nga DKA, një anëtar nga MASHT-i dhe një anëtar nga Këshilli i Printerëve Komunal (KPK)”, thuhet në përgjigjen e tyre.

Zyra për media në Obiliq kanë thënë se Gashi-Dovrani, është zgjedhur në këtë pozitë në bazë të konkursit të shpallur dhe duke i respektuar të gjitha normat ligjore në bazë të udhëzimit administrativ, për procedurat dhe kriteret për zgjedhjen e drejtorit të shkollës.

“Duke u bazuar në udhëzimin në fjalë, vërtetohet se procesi i rekrutimit është realizuar në mënyrë të rregullt dhe pa asnjë ndikim”, kanë shtuar ata.

Konkursi për pozitën e Drejtorit të Gjimnazit “17 shkurti” ishte hapur më 22 janar të këtij viti.

Si kritere për këtë pozitë kanë qenë: Të kenë të kryer arsimin universitar, të kenë licencë të rregullt të mësimdhënësit sipas udhëzimit të MAShT, të kenë të përfunduar me sukses një program kualifikimi profesional për udhëheqje, administrimi ose menaxhimi në arsimit para universitar si dhe të ketë 5 vite përvojë pune në procesin edukativo-arsimor për arsimin e mesëm të lartë.

Megjithatë, pavarësisht se KALLXO.com ka kërkuar vendimin për emërimin e Gashi-Dovrani, një gjë e tillë nuk është ofruar nga zyra për media në Obiliq, madje as nuk është publikuar në uebfaqen e Komunës së Obiliqit.

Kryetari i kësaj komune, Xhafer Gashi ka fituar në zgjedhjet e vitit 2017 mandatin e dytë për të udhëhequr këtë komunë. Ai vjen nga partia e ish-kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj, AAK.