Rasti i dhunës brenda familjes që përfundoi me vdekje, Apeli vërteton arrestin shtëpiak ndaj të dyshuarit

Rasti i dhunës brenda familjes që përfundoi me fatalitet në Shtime, ka marrë përgjigje edhe nga Gjykata e Apelit për masën e sigurisë ndaj Sh. K., të cilin Gjykata e Ferizajt e kishte lënë në arrest shtëpiak.

Ndaj tij, Prokuroria e Ferizajt kishte kërkuar masën e paraburgimit, por Gjykata e Ferizajt e kishte refuzuar kërkesën e Prokurorisë.

Për këtë Prokuroria e Ferizajt i është drejtuar Apelit duke kërkuar që të dyshuarit t’i caktohet masa e paraburgimit.

Se i dyshuari nuk duhet të rrijë nën masën e paraburgimit ka thënë edhe Gjykata e Apelit.

Sipas dosjes së siguruar nga KALLXO, kjo Gjykatë ka vlerësuar se Gjykata e shkallës së parë drejt ka vepruar kur ka vendosur masën e arrestit shtëpiak për të dyshuarin Sh. K.

“Sipas vlerësimit të Gjykatës së Apelit, gjykata e shkallës së parë drejtë ka vepruar kur të pandehurit i ka caktuar masën e arrestit shtëpiak… pasi bazuar në peshën e veprës penale për të cilën parashihet dënim burgim me të paktën 5 vjet…”- përshkruhet në vendimin e Gjykatës së Apelit të nxjerrë më 18.06.2024.

Kolegji i Apelit i cili mori këtë vendim përbëhet nga Xhevdet Abazi – kryetar, anëtarët Kadrije Goga- Lubishtani dhe Beqir Kalludra.

Ankesa e Prokurorisë drejtuar Apelit

Sipas ankesës së Prokurorisë, Gjykata e Ferizajt nuk ka paraqitur asnjë fakt vendimtar se cilat janë rrethanat në bazë të të cilave me anë të arrestit shtëpiak do të zhvillohej procedura penale në mënyrë të papenguar.

Tutje, Prokuroria ka theksuar edhe peshën e rëndë të veprës penale.

Vendimin e Gjykatës së Ferizajt, Prokuroria e ka atakuar si vendim me shkelje esenciale të dispozitave të procedurës penale si dhe me vlerësim të gabuar e jo të plotë të fakteve.

Në ankesën e bërë më datë 11.06.2024, përshkruhet se “gjykata e shkallës së parë gabimisht ka vendosur kur ka refuzuar kërkesën e prokurorit të shtetit për caktim të paraburgimit ndaj të pandehurit duke ia caktuar masën e arrestit shtëpiak”.

Arsyetimi i refuzimit të paraburgimit nga shkalla  e parë ishte që “kërkesa e Prokurorisë Themelore në Ferizaj, bazuar në rrethanat e këtij rasti nuk është arritur të justifikohet”- thuhej në njoftimin e Gjykatës së Ferizajt të datës 10.06.2024.

Fillimisht, rasti ishte raportuar më 19.05.2024, si dhunë në familje, kurse rasti nga Prokuroria është kualifikuar si lëndim i rëndë trupor me pasojë vdekje.

“Kur vepra penale nga paragrafi 1., 2., 3.ose 4. i këtij neni rezulton me vdekjen e personit tjetër, kryesi dënohet me burgim prej pesë (5) deri në pesëmbëdhjetë (15) vjet”- përshkruhet në Kodin Penal, sipas kualifikimit ligjor të Prokurorisë.

Mënyra e rrethanat e rastit sipas Prokurorisë

Sipas dosjes së Prokurorisë, pasi i pandehuri ishte kthyer nga puna, kishte parë që tashmë i ndjeri D. K. (babai i të dyshuarit) ishte duke e sulmuar nënën e të dyshuarit.

Tutje, përshkruhet se i dyshuari e kishte goditur me grusht në fytyrë të ndjerin dhe i njëjti ishte rrëzuar dhe kishte pësuar lëndime trupore duke mbetur i shtrirë për tokë, e pastaj kishte ndërruar jetë në QKUK-Prishtinë.

“Gjyqtari i procedurës paraprake i Departamentit për Krime të Rënda, ka vlerësuar se ekziston dyshimi i bazuar se më datë 19.05.2024 në Shtime, përkatësisht në shtëpinë e tyre, derisa i pandehuri ishte kthyer nga puna, pas një mosmarrëveshje të atë çastshme, që kishte pasur tani i ndjeri me nënën e të pandehurit të cilën ishte duke e sulmuar fizikisht i pandehuri ndërhynë duke e sulmuar tani të dëmtuarin – tani të ndjerin D. K., duke e goditur me grusht në fytyrë nga e cila goditje i dëmtuari rrëzohet dhe pëson lëndime trupore duke mbetur pa ndjenja i shtrirë në tokë, më pas të njëjtin e dërgojnë fillimisht në QKMF në Shtime, dhe më pas në Emergjencë në Ferizaj, prej aty e dërgojnë në QKUK në Prishtinë ku edhe ndërron jetë më datë 08.06.2024”- thuhet në njoftimin e Gjykatës së Ferizajt të datës 10.06.2024.

Tutje në këtë njoftim thuhej se masa e arrestit shtëpiak është caktuar me bindjen se e njëjta do të jetë masë e mjaftueshme për të arritur qëllimin ligjor të shqiptimit të masave të parapara për sigurimin e pranisë së të dyshuarit.

“Është caktuar masa e arrestit shtëpiak me bindjen se e njëjta do të jetë masë e mjaftueshme për të arritur qëllimin ligjor të shqiptimit të masave të parapara për sigurimin e pranisë së të pandehurit. Kjo për faktin se sipas dispozitave të KPPRK-së, me rastin e vendosjes secilën nga masat do ta zbatoj për sigurinë e të pandehurit, gjykata detyrohet t`i merr parasysh kushtet e përcaktuara për masat konkrete të siguroj që të mos zbatoj masë më të rëndë kur mjafton masa më e butë”- thuhej tutje në njoftimin e Gjykatës.

Për këtë rast, Policia e Kosovës kishte njoftuar se një person kishte ndërruar jetë.

“Më datën e cekur në rastin dhunë në familje, viktima mashkull kosovar kishte pësuar lëndime trupore dhe deri më tani kishte qenë në QKUK në tretman mjekësor. Më datë 08.06.2024 nga QKUK është konfirmuar se viktima ka ndërruar jetë”- thuhet në njoftimin e Policisë.

Rrahja kishte ndodhur mes tre personave, të cilët kishin kërkuar edhe tretman mjekësor në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare (QKMF) në Shtime.

Me vendim të prokurorit, trupi i pajetë ishte dërguar në IML për obduksion, ndërsa i dyshuari mashkull kosovar – djali i viktimës ishte arrestuar dhe pas intervistimit ishte dërguar në qendrën e mbajtjes.

Gjyqtari i procedurës paraprake për këtë rast në Gjykatën e Ferizajt ishte Habib Zeqiri.