Dren Boshnjaku në krye të Bordit të ShSKUK-së
Dren Boshnjaku është zgjedhur kryesues i Bordit të Shërbimit Spitalor Klinik e Universitar të Kosovës (ShSKUK) sot më 20.06.2024.
Nga votimi që u mbajt i fshehur, 6 vota ishin për Boshnjakun dhe një votë e pavlefshme.
Boshnjaku është neurolog dhe në Bord përfaqëson Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK).
Ai është anëtar i këtij Bordi që nga 26.04.2024, kur Qeveria kishte emëruar bordin e ri.
Ai u zgjodh kryesues, pas përfundimit të mandatit të kryesuesit paraprak, Naim Bardiqit, i cili ishte përfaqësues i Ministrisë së Shëndetësisë.
Me përfundimin e mandatit të tij si kryesues, Bardiqi dha dorëheqje nga të qënit anëtar i Bordit.
Në vend të tij, Qeveria ka emëruar Besa Balidemajn.
Anëtar i ri është emëruar edhe Ismet Ramadani, përfaqësues i spitaleve rajonale, pasi që Ligji për Shëndetësi parasheh që ky anëtar të emërohet në bazë të rotacionit dhe përmbushjes së indikatorëve të kualitetit të shërbimeve shëndetësore.
Anëtarët e tjerë të këtij bordi janë Tetore Olloni – përfaqësuese nga Klinika Stomatologjike e QKUK-së, Rrezarta Bajrami nga IKSHPK, Vjollca Kadolli nga Shërbimi i kujdesit parësor shëndetësor dhe Enver Gashi – drejtor financiar.