QKUK

Apeli refuzon ankesën e SHSKUK-së për Rregulloren e Brendshme

Gjykata e Apelit ka vërtetuar vendimin e Gjykatës Themelore të Prishtinës pas ankesës së Shërbimit Spitalor Klinik e Universitar të Kosovës (SHSKUK).

ShSKUK kishte kërkuar shtyrjen e ekzekutimit të Rregullores për Organizim të Brendshëm dhe Sistematizim të Vendeve të Punës, ndërsa Gjykata e Apelit e ka hedhur poshtë si të pabazuar ankesën e SHSKUK-së.

“Refuzohet si e pabazuar ankesa e të paditurës, kundër-propozueses, Shërbimit Spitalor dhe Klinik Universitar i Kosovës në Prishtinë, e datës 27.05.2024, ndërsa Aktvendimi i Gjykatës Themelore në Prishtinë – Departamenti për Çështje Administrative A.nr 1795/2024, i  datës 13.05.2024,vërtetohet”- thuhet në aktvendimin e gjykatës.

SHSKUK-ja ishte ankuar në lidhje me vendimin e Gjykatës Themelore të Prishtinës, e cila kishte shtyrë ekzekutimin e Rregullores për Organizmin e Brendshëm dhe Sistematizimin e Vendeve të Punës në SHSKUK më 14.05.2024.

Ky vendim kishte ardhur pas një padie të një punonjësi të SHSKUK-së, i cili kishte kërkuar shtyrjen  e ekzekutimit deri në marrjen e një vendimi përfundimtar.

Ndërkaq, padia pretendonte se kjo Rregullore, e cila u miratua  nga Bordi i SHSKUK-së më 09.04.2024, cenonte të drejtat nga marrëdhëniet e punës, duke mos ofruar garanci për të punësuarit me afat të pacaktuar.

Për pezullimin e ankesës së SHSKUK-së, në arsyetimin e Gjykatës së Apelit, thuhet se është aprovuar kërkesa e paditësve si e bazuar, ndërkaq organizimi i kësaj rregullore për SHSKUK- në do të shtyhet derisa gjykata të vendosë me vendim përfundimtar gjyqësor.

Lidhur me këtë ka reaguar edhe avokati i palës paditëse Ardian Bajraktari, i cili ka thënë se Gjykata e Apelit e ka konfirmuar ligjshmërinë e vendimit të Gjykatës së Shkallës së Parë.

“I bindur dhe shpresëplotë se i tillë do të jetë edhe epilogu përfundimtar i këtij procesi gjyqësor”- ka shkruar avokati Bajraktari.

KALLXO.com më 14.05 2024 ka raportuar për pezullimin e Rregullores së Brendshme të SHSKUK-së.

Gjykata pezulloi zbatimin e Rregullores së Brendshme të ShSKUK-së

Shënim: Artikulli është edituar më 25.06.2024, ora 20:49. Në titull të artikullit është larguar pjesa “Apeli pezullon ankesën e SHSKUK-së për Rregulloren e Brendshme” dhe është zëvendësuar me “Apeli refuzon ankesën e SHSKUK-së për Rregulloren e Brendshme”