Refuzimi i paraburgimit për të dyshuarin e rastit të dhunës brenda familjes që përfundoi me vdekje, Prokuroria paralajmëron ankesë
Gjykata e Ferizajt e kishte refuzuar kërkesën e Prokurorisë për paraburgimin ndaj personit me inicialet Sh. K., cili i dyshohet për lëndim të rëndë trupor me pasojë vdekjen gjatë një rrahje mes familjarëve në Shtime.
Ndaj tij, Prokuroria e Ferizajt kishte kërkuar paraburgimin por këtë kërkesë e ka refuzuar Gjykata e Ferizajt me arsyetimin që “kërkesa e Prokurorisë Themelore në Ferizaj, bazuar në rrethanat e këtij rasti nuk është arritur të justifikohet”- thuhet në njoftimin e Gjykatës së Ferizajt të datës 10.06.2024.
Prokuroria e Ferizajt në një përgjigje për KALLXO.com ka thënë se ndaj vendimit të Gjykatës për caktimin e arrestit shtëpiak për të dyshuarin, do të bëjë ankesë.
“Ju njoftojmë se Prokuroria Themelore në Ferizaj, do të parashtrojë ankesë kundër aktvendimit të Gjykatës Themelore në Ferizaj, për rastin në fjalë”- thuhet në përgjigjet e Prokuorisë së Ferizajt.
Fillimisht, rasti ishte raportuar më 19.05.2024, si dhunë në familje, kurse rasti nga Prokuroria është kualifikuar si lëndim i rëndë trupor me pasojë vdekje.
“Kur vepra penale nga paragrafi 1., 2., 3.ose 4. i këtij neni rezulton me vdekjen e personit tjetër, kryesi dënohet me burgim prej pesë (5) deri në pesëmbëdhjetë (15) vjet”- përshkruhet në Kodin Penal, sipas kualifikimit ligjor të Prokurorisë.
“Gjyqtari i procedurës paraprake i Departamentit për Krime të Rënda, ka vlerësuar se ekziston dyshimi i bazuar se më datë 19.05.2024 në Shtime, përkatësisht në shtëpinë e tyre, deri sa i pandehuri ishte kthyer nga puna, pa një mosmarrëveshje të atë çastshme, që kishte pasur tani i ndjeri me nënën e të pandehurit të cilën ishte duke e sulmuar fizikisht i pandehuri ndërhynë duke e sulmuar tani të dëmtuarin – tani të ndjerin D. K., duke e goditur me grusht në fytyrë nga e cila goditje i dëmtuari rrëzohet dhe pëson lëndime trupore duke mbetur pa ndjenja i shtrirë në tokë, më pas të njëjtin e dërgojnë fillimisht në QKMF në Shtime, dhe më pas në Emergjencë në Ferizaj, prej aty e dërgojnë në QKUK në Prishtinë ku edhe ndërron jetë më datë 08.06.2024”- thuhet në njoftimin e Gjykatës së Ferizajt të datës 10.06.2024.
Tutje në këtë njoftim thuhet se masa e arrestit shtëpiak është caktuar me bindjen se e njëjta do të jetë masë e mjaftueshme për të arritur qëllimin ligjor të shqiptimit të masave të parapara për sigurimin e pranisë së të dyshuarit.
“Është caktuar masa e arrestit shtëpiak me bindjen se e njëjta do të jetë masë e mjaftueshme për të arritur qëllimin ligjor të shqiptimit të masave të parapara për sigurimin e pranisë së të pandehurit. Kjo për faktin se sipas dispozitave të KPPRK-së, me rastin e vendosjes secilën nga masat do ta zbatoj për sigurinë e të pandehurit, gjykata detyrohet t`i merr parasysh kushtet e përcaktuara për masat konkrete të siguroj që të mos zbatoj masë më të rëndë kur mjafton masa më e butë” – thuhet tutje në njoftimin e Gjykatës.
Për këtë rast, Policia e Kosovës kishte njoftuar se një person kishte ndërruar jetë.
“Më datën e cekur në rastin dhunë në familje, viktima mashkull kosovar kishte pësuar lëndime trupore dhe deri më tani kishte qenë në QKUK në tretman mjekësor. Më datë 08.06.2024 nga QKUK është konfirmuar se viktima ka ndërruar jetë”- thuhet në njoftimin e Policisë.
Rrahja kishte ndodhur mes tre personave, të cilët kishin kërkuar edhe tretman mjekësor në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare (QKMF) në Shtime.
Me vendim të prokurorit, trupi i pajetë ishte dërguar në IML për obduksion, ndërsa i dyshuari mashkull kosovar – djali i viktimës ishte arrestuar dhe pas intervistimit ishte dërguar në qendrën e mbajtjes.
Gjyqtari i procedurës paraprake për këtë rast në Gjykatën e Ferizajt është Habib Zeqiri.