Ilustrim - Foto: KALLXO.com bastisjet nga policia ne rastin Brezovica
Rasti 'Brezovica', arrestohet ortaku i Idriz Thaçit vëllait të ish presidentit
Prokuroria e Ferizajt, ditën e djeshme ka njoftuar se ka bastisur gjashtë lokacione dhe ka arrestuar katër persona, ndërsa dy të tjerë mbeten në arrati pasi nuk ishin hasur në vendbanimet e tyre.
Ndër të arrestuarit është edhe Bekim Pireva i cili është ortak në një biznes në Ulqin më Idriz Thaçin, vëllain e ish Presidentit Thaçi.
Kallxo.com ka kontaktuar me avokatin e Pirevës, Arben Shala, por ai ka qenë shumë i shkurtër.
“Jam i zënë ndihemi për pak”, ka thanë Shala i cili deri në momentin e publikimit nuk është lajmëruar më.
Kërkesa për caktimin e paraburgimit e Prokurorisë së Ferizajt përshkruan se Pireva dyshohet se ka dhënë 10 mijë euro ryshfet nëpërmjet të dyshuarit Bratisllav Nikoliq.
“Ekziston dyshimi i bazuar se në vitin 2017, në mënyrë të tërthortë i ka dhënë para personit zyrtar që të veprojë në kundërshtim me detyrën e tij zyrtare në atë mënyrë që përmes një personi tjetër i ka dhënë 10 mijë euro të pandehurit Bratisllav Nikoliq për të ia mundësuar marrjen e lejes ndërtimore në vikend-zonën e Brezovicës, të Parkut Kombëtar “Sharri” i cili ka ndërtuar në kundërshtim me ligjin për ndërtim, ligjin për ujërat e Kosovës, ligjin për mbrojtjen e mjedisit dhe ligjin për planin hapësinor të Parkut Kombëtar “Sharri”. Me këtë do të kryente veprën penale dhënie e ryshfetit. Për veprën tjetër penale, dhënie e ryshfetit, ushtrim i ndikimit, e gjithashtu edhe mbajtje në pronësi kontroll ose posedim të paautorizuar të armës”, thuhet në dosjen e Prokurorisë.
Bekim Pireva e kishte pranuar vitin e kaluar në emisionin “KallxoPernime” se është aksionar në një biznes me vëllanë e ish presidentit Hashim Thaçi, Idrizin.
“I vetmi bashkëpunim i yni me z.Idriz Thaçi është në projektin ndërtimor në Ulqin. Të dhënat e kompanisë dhe aksionarëve janë të gjitha publike dhe online”, pati deklaruar Bekim Pireva, drejtor i kompanisë “Premium Bau Ulqin”.
Bekim Pireva, gjithashtu e kishte pranuar se ka qenë aksionar edhe me qytetarë serbë, por kishte deklaruar se ato nuk janë bërë asnjëherë aktive. Ai pati deklaruar se është aksionar me 70% të aksioneve në biznesin “Energy Power” Sh.P.K. me seli në Zubin Potok, në të cilën janë aksionarë edhe Bojan Jakshiq (20% të aksioneve) dhe Millovan Simiq (10% të aksioneve).
“Jemi vetëm tre aksionarë atje në Ulqin, unë bashkë me Arben Jetullahun dhe Idriz Thaçin, që të dy i njoh në Prishtinë kohë më parë. Po, Idrizi është vëllai i Hashim Thaçit, unë kam pas edhe një kompani tjetër me disa serbë të Zupqit por nuk është më sepse nuk kemi mujtë me hapë fabrikën”, theksoi Pireva.
Emisioni #KallxoPernime i titulluar ‘Veriu dhe investimet në Ulqin’, të transmetuar vitin e kaluar mund ta ndiqni në linkun e mëposhtëm.
Sipas njoftimit të Prokurorisë në Ferizaj, personat e arrestuar janë me inicialet Xh. B., I. F., Xh. Sh., dhe B. P. Ata janë ndaluar për shkak të dyshimit se të njëjtit kanë kryer veprat penale “Marrja e ryshfetit” “Ushtrimi i ndikimit” dhe “Dhënia e ryshfetit”.
Rasti ‘Brezovica’, arrestohet ish-sekretari i Ministrisë së Infrastrukturës
Në këtë LINK mund t’i lexoni lajmet lidhur me këtë rastin “Brezovica”.