Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Rashiq: Zgjedhjet në veri, zgjidhje e përkohshme

Ministri për Kthim dhe Komunitete, Nenad Rashiq i ka parë si zgjidhje të përkohshme zgjedhjet e mbajtura të dielën në 4 komunat veriore.

“Kjo që ka ndodhë në fundjavë është sipas meje një zgjidhje e përkohshme, se normal që cilido sistem nuk preferohet që 2 ose 3 për qind duhet të votojnë në një sistem demokratik. E dini që edhe ju vet që është një planifikim ose keqpërdorim i serbëve nga ana e një regjimi autokrat që i përdor serbët për qëllime të veta”- tha ai.

Në konferencën për media pas mbledhjes së qeverisë, Rashiq tha që është i gatshëm që të bisedoj me kryetarët e ri të zgjedhur por edhe me qytetarët që kanë nevojë.

“Shumë shpeshë po bisedoj me përfaqësues të grupacioneve në veri, ende mungon një guxim personal që të vazhdojnë hapa përpara drejtë një zhvillimi, por duhet ta kuptojmë që në atë pjesë presioni është jashtëzakonisht i madh. Unë do t`i pres ata që janë të gatshëm për bashkëpunim, qoftë strukturat e reja, qoftë njerëz ose grupacione”- tha ai.

Të dielën janë mbajtur zgjedhjet në Leposaviq, Zveçan, Zubin Potok dhe Mitrovicë të Veriut.

Sipas rezultateve të publikuara, Lëvizja Vetëvendosje (LVV) dhe Partia Demokratike e Kosovës (PDK) kanë marrë nga dy komuna.

Në Mitrovicë të Veriut, LVV do të qeverisë me Erden Atiq, dhe në Leposaviq me Lulzim Hetemin.

Ndërsa PDK në Zubin Potok do të qeverisë me Izmir Zeqirin dhe në Zveçan me Ilir Pecin.

Rezultatet preliminare, LVV dhe PDK fitojnë nga dy komuna të veriut