Foto: Parlamenti Europian, Screenshot

Raportuesi për Serbinë në Parlamentin Europian: Kurti fajtor për ngecjen e negociatave

Raportuesi për Serbinë në Parlamentin Europian, Vladimir Bilçik, deklaroi se me ardhjen në pushtet të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, negociatat mes Kosovës dhe Serbisë kanë ngecur.

Eurodeputeti sllovak tha se dialogu nuk ka shkuar në drejtim të gjetjes së zgjidhjes për disa çështje, duke përmendur Asociacionin e komunave më shumicë serbe.

“Nëse e shikoj në pamje më të gjerë dialogun, më lejoni të them shumë qartë se me ardhjen e Albin Kurtit në pushtet, dialogu për fat të keq ka ngecur dhe nuk ka shkuar në drejtim të gjetjes së zgjidhjes praktike për çështjet, si Asociacioni i komunave serbe apo zgjedhjet e reja në veri të Kosovës – dhe këtë po e thotë dikush që është shumë kritikues ndaj palës serbe”- tha ai.

Në debatin që po mbahet në Parlamentin Europian pas zhvillimeve të fundit në veri të Kosovës, Bilçik tha se për sulmin në Banjskë ka nevojë për hetim dhe dhënie të drejtësisë.

“Po, ne kemi nevojë për zbulimin e asaj që ndodh realisht më 24 shtator dhe topi këtu është shumë në Beograd. Na duhen fakte”- tha tutje ai.

Sipas tij, zgjidhja e vetme për një dialog paqësor mes dy vendeve është angazhimi për t’u kthyer në tryezën e negociatave.

Bilçik vjen nga Sllovakia dhe është pjesë e Parlamentit Evropian që nga viti 2019.

Parlamenti Europian po diskuton për zhvillimet e fundit në veri të Kosovës pas sulmit terrorist të 24 shtatorit në Banjskë të Zveçanit, ku mbeti i vrarë polici Afrim Bunjaku dhe u plagos një tjetër.

Po ashtu, Parlamenti Europian pritet ta miratojë një rezolutë të jashtëzakonshme për marrëdhëniet mes Kosovës dhe Serbisë më vonë këtë muaj, pas sulmit nga një grup i armatosur serb ndaj Policisë së Kosovës në veri të vendit më 24 shtator, ka njoftuar deputeti kroat në EP, Tonino Picula.

Parlamenti Europian debaton sot për sulmin në veri

Më 24 shtator 2023 një sulm terrorist u krye në Banjskë të Zveçanit.

Afrim Bunjaku, rreshter i Policisë së Kosovës, u vra, një polic tjetër u plagos e një tjetër u lëndua nga ky sulm, ndërsa Policia u sulmua disa herë radhazi nga grupi terrorist deri sa këta të fundit ikën në drejtim të Serbisë.

Në ditën kritike Policia sekuestroi 24 automjete, dy autoblinda e arsenal të madh armatimi luftarak që i kishte grupi terrorist.

Tre persona nga ky grup u vranë e disa të tjerë u arrestuan. Trupat e tre të vrarëve iu dorëzuan më 30 shtator 2023 familjarëve të tyre, pas përfundimit të procedurave të nevojshme nga organet kompetente.

Ish-nënkryetari i Listës Serbe – partia më e madhe e serbëve në Kosovë që ka edhe mbështetjen e Qeverisë serbe – Millan Radoiçiq, ka marrë përgjegjësinë për sulmin ndërsa ka dhënë dorëheqje nga posti në partinë që i përkiste.

Radoiçiq tha se të gjithë skenarin e kishte bërë vet dhe askujt nuk i kishte treguar. Këto pretendime i njëjti i bëri përmes një letre të cilën e lexoi të premten pasdite avokati i tij i autorizuar, Goran Petronijeviq.

Sulmin terrorist të 24 shtatorit e dënuan ashpër edhe ndërkombëtarët.