Parlamenti Evropian - Foto: Denis Sllovinja / KALLXO.com

Parlamenti Europian debaton sot për sulmin në veri

Parlamenti Europian në seancën sotme pritet të diskutojë për zhvillimet e fundit në veri të Kosovës pas sulmit terrorist të 24 shtatorit në Banjskë të Zveçanit, ku mbeti i vrarë polici Afrim Bunjaku dhe u plagos një tjetër.

Debati pritet të mbahet sot pasdite.

Kështu ka njoftuar për KALLXO.com, zëdhënësja e Parlamentit, Delphine Colard.

Disa ditë më parë, nga ky institucion është bërë e ditur se eurodeputetët do të diskutojnë për marrëdhëniet midis Prishtinës dhe Beogradit me Komisionin dhe Këshillin, pas situatës së krijuar së fundmi në veri.

Po ashtu, Parlamenti Europian pritet ta miratojë një rezolutë të jashtëzakonshme për marrëdhëniet mes Kosovës dhe Serbisë më vonë këtë muaj, pas sulmit nga një grup i armatosur serb ndaj Policisë së Kosovës në veri të vendit më 24 shtator, ka njoftuar deputeti kroat në EP, Tonino Picula.

“Ne dënojmë agresionin e fundit të një bande të armatosur terroriste kundër policëve të Kosovës. Të gjitha faktet rreth sulmit duhet të vërtetohen. Autorët përgjegjës duhet të përballen me drejtësinë” – thuhet në njoftimin e deputetit Picula nga Grupi i Socialistëve dhe Demokratëve në Parlamentin Europian.

 

Dje, zëdhënësi i Bashkimit Europian, Peter Stano ka thënë se prioriteti i parë dhe kryesor për të gjithë është shtensionimi dhe stabilizimi i situatës në veri.

Sipas Stanos, janë dy zhvillime shqetësuese ditëve të fundit, sulmi terrorist i 24 shtatorit dhe zbulimi i një grumbulli të madh armësh në veri të Kosovës.

“Janë dy zhvillime shqetësuese ditëve të fundit prej nga çka kemi parë, sulmi terrorist i së dilës para kësaj jave, dhe zbulimi i një grumbulli të madh armësh në veri të Kosovës, kjo është shumë serioze. Në të njëjtën kohë kemi ne kemi vërejtur ngritjen e ushtrisë serbe në vijën kufitare administrative me Kosovën, dhe kjo është gjithashtu shumë shqetësuese dhe duhet të ndalet menjëherë, ky ishte mesazhi i Borrell”- theksoi ai.

Më 24 shtator 2023 një sulm terrorist u krye në Banjskë të Zveçanit.

Afrim Bunjaku, rreshter i Policisë së Kosovës, u vra, një polic tjetër u plagos e një tjetër u lëndua nga ky sulm, ndërsa Policia u sulmua disa herë radhazi nga grupi terrorist deri sa këta të fundit ikën në drejtim të Serbisë.

Në ditën kritike Policia sekuestroi 24 automjete, dy autoblinda e arsenal të madh armatimi luftarak që i kishte grupi terrorist.

Tre persona nga ky grup u vranë e disa të tjerë u arrestuan. Trupat e tre të vrarëve iu dorëzuan më 30 shtator 2023 familjarëve të tyre, pas përfundimit të procedurave të nevojshme nga organet kompetente.

Ish-nënkryetari i Listës Serbe – partia më e madhe e serbëve në Kosovë që ka edhe mbështetjen e Qeverisë serbe – Millan Radoiçiq, ka marrë përgjegjësinë për sulmin ndërsa ka dhënë dorëheqje nga posti në partinë që i përkiste.

Radoiçiq tha se të gjithë skenarin e kishte bërë vet dhe askujt nuk i kishte treguar. Këto pretendime i njëjti i bëri përmes një letre të cilën e lexoi të premten pasdite avokati i tij i autorizuar, Goran Petronijeviq.

Sulmin terrorist të 24 shtatorit e dënuan ashpër edhe ndërkombëtarët.