Raporti i MAPL-së: Përfaqësimi gjinor në komuna

Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal ka publikuar Raportin e Përformancës së Komunave të Republikës së Kosovës për vitin 2020.

Ky raport prezanton rezultatet e punës së komunave në 19 fusha të kompetencave që janë nën përgjegjësi të tyre, përmes 102 treguesve nga 119 sa ka gjithsej Sistemi për Menaxhimin e Performancës Komunale.

Një nga këto fusha është edhe ajo e përfaqësimit të barabartë gjinor.

Në këtë raport është thënë se sipas të dhënave të raportuara nga 33 komuna, niveli i të punësuarve gra në institucione komunale është 100% në raport me kriterin 50×50.

Tutje është treguar se 49% e komunave kanë dokumentuar të hartuar planin për barazi gjinore dhe se sa i përket pozitave politike, sipas raportit të MAPL-së, nga 475 pozita në kuadër të ekzekutivit komunal në 32 komuna, 135 janë raportuar të jenë gra, apo, siç thotë MAPL, 56.84% e kriterit ligjor.

Kjo Ministri ka publikuar një grafikë ku tregon për qindjen e arritur të komunave në përfaqësimin gjinor.

Komuna e parë në këtë grafikë është ajo e Junikut, e cila ka arritur 62.73% të përfaqësimit gjinor.

 

Foto: MAPL, Krahasimet sipas komunave në fushën e barazisë gjinore

Në raport është treguar se përqindja e përfaqësimit në trupat e kuvendeve komunale është 91.96% e kriterit 50×50.

Po ashtu është thënë se sipas të dhënave të përfaqësimit të grave në pozitat udhëheqëse në institucionet arsimore, shëndetësore dhe kulturore/sportive, nga 1 mijë e 619 pozita udhëheqëse, 475 prej tyre udhëhiqen nga gratë, apo, sipas MAPL-së,  59.54% të përmbushjes së kriterit ligjor.

Gjithmonë duke iu referuar raportit të publikuar në faqen zyrtare të MAPL-së, përfaqësimi gjinor në këshillat lokale thuhet se është tejet i ulët dhe se shumica dërmuese e komunave nuk kanë asnjë grua që udhëheq këto këshilla.

“Kjo edhe duke marrë për bazë që 12 komunave nuk kanë raportuar t’i kenë të themeluara këshillat lokale”, thuhet në raport.

Sa i përket përfaqësimit gjinor tek emrat e rrugëve komunale, MAPL ka thënë se është tejet i ulët dhe se njëjtë është edhe regjistrimi i pronave në emër të një grua apo dy gjinive, bashkëshortë apo vëllezër dhe motra.

MAPL ka thënë se buxhetimi dhe shpenzimi i përgjegjshëm gjinor del se bëhet nga pak mbi gjysmën e komunave dhe se ka nevojë mjaft të madhe për trajnim në këtë drejtim si dhe për vullnet të komunave që të kuptojnë rëndësinë e kësaj çështje.

Tutje tregohet se barazia gjinore në programet për punësim, subvencione dhe ndërmarrësi është në shkallë prej 47.48%”.