Raporti i auditimit pa gjetje dhe rekomandime i Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës të Shërbimit Civil

Zyra Kombëtare e Auditimit nuk ka gjetur asnjë shkelje dhe nuk i ka dhënë asnjë rekomandim Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës të Shërbimit Civil të Kosovës (KPMShCK), në raportin e vitit 2019.

Auditimin e pasqyrave financiare të KPMShC-së e ka kryer kompania “ETIKA Co” Sh.p.k. në emër të Zyrës Kombëtare të Auditimit të Republikës së Kosovës.

Këshilli i Pavarur Mbikëqyrës i Kosovës nuk kishte marrë asnjë rekomandim edhe në raportin e vitit 2018.

“Në raportin tonë të auditimit për PFV-të e vitit 2018, ne nuk kemi dhënë asnjë rekomandim. Po ashtu, edhe për auditimin e vitit 2019 nuk kemi dhënë asnjë rekomandim”, thuhet në raportin e auditimit të vitit 2019.

Auditori i ka dhënë KMPShC-së opinion i pamodifikuar në pasqyrat financiare vjetore për vitin 2019 duke shtuar se ato prezantojnë një pamje të drejtë dhe të vërtetë në të gjitha aspektet materiale.

“Sipas opinionit tonë, Pasqyrat Financiare Vjetore për vitin e përfunduar më 31 dhjetor 2019, prezantojnë një pamje të drejtë dhe të vërtetë në të gjitha aspektet materiale, në përputhje me Standardet Ndërkombëtare të Kontabilitetit për Sektorin Publik, sipas kontabilitetit të bazuar në para të gatshme”, theksohet në raport.

Buxheti final në raport me buxhetin fillestar ishte zvogëluar për 64,569 euro si rezultat i vendimit të Qeverisë për kursime buxhetore. Në vitin 2019, KPMShC-ja ka shpenzuar 98% të buxhetit final ose 321,528 euro, me një përqindje të njëjtë krahasuar me vitin 2018.

Ndryshime buxhetore, prej buxhetit fillestar në atë final kishte zbritje te kategoria e pagave dhe mëditjeve në vlerë 64,569 euro, ndërsa të kategoritë tjera nuk kishte ndryshime.

“Zvogëlimi te kategoria e pagave dhe mëditjeve ishte si rezultat i vendimit të Qeverisë Nr. 03/115 i datës 17.12.2019, për kursime buxhetore”, vazhdon raporti i vitit 2019.

Buxheti final për paga dhe mëditje i KPMShC-së ishte 207,824 euro, aq sa edhe ishte shpenzuar. Numri i të punësuarve sipas buxhetit ishte 30 ndërsa në fund të vitit numri i tyre ishte 25, kjo si rezultat që Kuvendi i Republikës së Kosovës gjatë vitit 2019 nuk kishte arritur të emëroj 5 anëtarët e Këshillit. Gjatë vitit 2019 ishin punësuar 2 të rinj.

“Kemi testuar 35 mostra për teste substanciale në vlerë 30,698 euro, si dhe 11 mostra për teste të pajtueshmërisë. Nga mostrat e testuara nuk kemi vërejtur ndonjë mangësi domethënëse për raportim”, theksohet në raport.

Buxheti final për mallra dhe shërbime në vitin 2019 ishte 117,358 euro, prej tyre ishin shpenzuar 111,910 euro. Ndërsa buxheti final për shpenzime komunale ishte 3,825 euro, ndërsa ishin shpenzuar 1,794 euro.

“Për këto kategori, kemi testuar 49 mostra për teste substanciale në vlerë 34,595€ si dhe 9 mostra për teste të pajtueshmërisë. Nga mostrat e testuara nuk kemi vërejtur ndonjë mangësi domethënëse për raportim”, vazhdon raporti i vitit 2019.

Vlera e paraqitur në pasqyrat financiare vjetore e pasurive kapitale ishte 857 euro, e pasurive jokapitale ishte 29,057 euro si dhe e stoqeve 577 euro.

“Kemi testuar 20 mostra për teste substanciale në vlerë 7,503 euro, si dhe 20 mostra për teste të pajtueshmërisë. Nga mostrat e testuara nuk kemi vërejtur ndonjë mangësi domethënëse për raportim”, vazhdon tutje raporti.

Pasqyra e detyrimeve të papaguara ndaj furnitorëve në fund të vitit 2019, ishte 4,564 euro. Këto detyrime janë bartur për t’u paguar në vitin 2020.

Pasqyra e detyrimeve kontraktuale ndaj furnitorëve në fund të vitit 2019 ishte 0 euro.

“Nuk kemi vërejtur ndonjë mangësi domethënëse për raportim në kapitullin e detyrimeve”, thuhet në raport.

Sipas Auditorit, në bazë të kërkesave ligjore, KPMShC-ja nuk i plotëson kriteret për themelimin e Njësisë së Auditimit të Brendshëm.

“Ne inkurajojmë menaxhmentin që të bëjë një rishikim të nevojave për auditim të brendshëm dhe të konsiderojë mundësinë e arritjes së një marrëveshje me ndonjë organizatë tjetër të sektorit publik që të shfrytëzojë shërbimet e auditimit të brendshëm. Nuk kemi vërejtur ndonjë mangësi domethënëse për raportim”, thuhet në raportin e auditimit.