Komuna e Prizrenit punësoi vozitës në QKMF pa u zhvilluar procedurë e re e rekrutimit

Zyra Kombëtare e Auditimit ka gjetur se Komuna e Prizrenit ka punësuar disa vozitës në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare, pa u zhvilluar procedurë e rekrutimit.

Sipas ZKA-së, të punësuarit me kontratë për kohë të caktuar në pozitën vozitës në QKMF, tre muaj para skadimit të kontratës i është bërë kontratë e re me afat të pacaktuar.

Auditori thekson se me nenin 66, të Ligjit për Zyrtarët Publikë, përcaktohen kriteret për kohëzgjatjen e marrëdhënies së punës, përderisa me nenin 67, përcaktohet që themelimi i marrëdhënies së punës për një nëpunës të shërbimit publik bëhet vetëm në bazë të një konkursi publik dhe të hapur, të organizuar sipas këtij ligji.

Kjo sipas ZKA-së ka ndodhur për shkak të kontrolleve jo adekuate dhe mbikëqyrjes së pamjaftueshme në menaxhimin e personelit nga menaxhmenti i komunës.

Auditori vlerëson se, ndërrimi i kontratës së punës, nga afati i caktuar në afat të pacaktuar, bie ndesh me kërkesat për kohëzgjatjen e marrëdhënies së punës të përcaktuar me ligjin për zyrtarët publikë.

Zyra e Auditimit rekomandon se kryetari duhet të sigurojë që të punësuarit me kontratë për kohë të caktuar angazhohen vetëm për afatin e caktuar me kontratë.

“Në rastet kur vlerësohet nevoja për punonjës të rregullt, të zhvillohet procedura e rekrutimit përmes konkursit publik” – thuhet në raport.

Për këtë gjetje, përgjigjja e menaxhmentit të Komunës është se pajtohen me gjetjet e Auditorit.

Raportin e plotë me gjetjet e Auditorit për Komunë e Prizrenit për vitin 2022 mund ta lexoni në këtë link.