Ilustrim, Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

KEK nuk i pagoi sipas ligjit punëtorët të cilët punuan në ndërrimin e tretë dhe në fundjava

Korporata Energjetike e Kosovës nuk i kishte paguar sipas Ligjit të Punës dhe Kodit të Punës punëtorët të cilët punuan në fundjava dhe ndërrimin e tretë.

Punëtorët ishin kompensuar me normën 30% të pagës bazë dhe jo 50% ashtu siç kërkon Ligji dhe Kodi i Punës.

raportin e Zyrës Kombëtare të Auditimit për vitin 2022 thuhet se për këtë çështje punëtorët e kompanisë kanë paditur KEK në vlerë 1.1 milion euro.

ZKA ka gjetur gjithashtu se bordi i KEK nuk ka miratuar një vendim të ri i cili lidhet me shtesat e punëtorëve të cilët punojnë në divizionin për prodhimin e qymyrit dhe gjenerimit.

Këta punëtorë të këtyre divizioneve kanë pagën bazë 317 euro por për shkak të kushteve të vështira të punës atyre me një vendim të vitit 2007 u është ndarë edhe shtesa në pagë prej 22 euro.

ZKA ka theksuar se pavarësisht se kushtet e tjera në bazë të cilave paguhen punëtorët kanë ndryshuar, ato nuk janë azhurnuar me një vendim të ri për shtesa të aprovuar nga bordi.

Bordi i KEK nuk ka miratuar as vendimin sipas së cilit punëtorëve të KEK do t’u paguhej pushimi 30 minuta gjatë punës.

Ky pushim, 30 minutësh do të duhej t’u paguhej punëtorëve të KEK pasi që atyre nuk u lejohet të lëshojnë vendimin e punës edhe gjatë pushimit për shkak të natyrës së punës.

Zyra Kombëtare e Auditimit ka rekomanduar bordin e Korporatës Energjetike të Kosovës që të bëjë azhurnimin me kohë të vendimeve që lidhen me kompensimet e punëtorëve si dhe të siguroj që do të merren veprimet e nevojshme për azhurnimin e kontratave të punës ashtu që dispozitat e kontratave të mos jenë në kundërshtim me ligjin.

ZKA ka theksuar se mos azhurnimi me kohë i vendimeve lidhur me kompensimin e punëtorëve ka ndikuar që KEK të paditet në gjykatë nga punëtorët e saj.

Në raportin e auditimit të Zyrës Kombëtare të Auditimit për Korporatën Energjetike të Kosovës janë dhënë 15 rekomandime të reja.

Në vitin paraprak, ZKA kishte dhënë 21 rekomandime nga të cilat këtë vit 16 janë zbatuar pjesërisht.

Për vitin 2022, ZKA ka dhënë opinion të kualifikuar për KEK.

Korporata Energjetike e Kosovës është pajtuar me të gjitha gjetjet dhe rekomandimet e ZKA-së.