ZKA: Komuna e Podujevës për tri projekte hyri në obligime pa mjete të mjaftueshme

Komuna e Podujevës në tri raste ka iniciuar projekte pa mjete të mjaftueshme të zotuara.

Sipas Zyrës Kombëtare të Auditimit, rasti i parë ka të bëjë me furnizim me kabinete të shkencave natyrore, vlera e kontratës ka qenë 168 mijë e 250 euro, ndërsa vlera e zotimit 22 mijë e 994 euro.

Në rastin e dytë, projekti ka qenë për intervenime për rastet ekstreme emergjente me rastin e vërshimeve. Sipas ZKA-së vlera e kontratës ka qenë 36 mijë e 225 euro, ndërsa vlera e zotimit 28 mijë e 75 euro.

Ndërsa për projektin për largim të deponive ilegale vlera e kontratës ka qenë 45 mijë euro ndërsa vlera e zotimit 10 mijë 757 euro.

Auditori ka theksuar se sipas Ligjit, “Para inicimit të një procesi të prokurimit i cili ka për qëllim të rezultojë në ngritjen e një obligimi në vitin aktual fiskal, Organizata Buxhetore i regjistron të gjitha zotimet e fondeve të ndara në Sistemin Informativ për Menaxhimin Financiar në Kosovë në përputhje me rregullat”.

Sipas ZKA-së, kjo ka ndodhur si rezultat i mungesës së kontrolleve me rastin e inicimit të procedurave të prokurimit pa pasur zotim të mjeteve.

“Hyrja në obligime pa siguruar fondet e nevojshme, ndikon në rritjen e obligimeve të papaguara, apo implikime buxhetore për vitin aktual si dhe të jenë ngarkesë për buxhetin e vitit vijues”- thuhet në raportin e auditimit.

Kurse për kryetarin e komunës Auditori ka rekomanduar që i njëjti duhet të forcojë kontrollet gjatë zhvillimit të projekteve duke siguruar që para inicimit të procedurave të prokurimit çdo projekt kapital të ketë fonde të mjaftueshme për realizim.

Për këtë gjetje, përgjigjja e menaxhmentit të Komunës është se pajtohen me gjetjet e Auditorit.

ZKA ka njoftuar se deri në fund të auditimit për vitin 2022, në komunën e Podujevës pesë rekomandime janë zbatuar dhe shtatë rekomandime nuk janë zbatuar ende.

Raportin e plotë me gjetjet e Auditorit për Komunën Podujevës për vitin 2022 mund ta lexoni në këtë LINK.