Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

ZKA: Punimet në katër rrugë në komunën e Klinës nuk u kryen brenda afateve të caktuara

Katër kontrata për asfaltimin e rrugëve në komunën e Klinës nuk janë realizuar në pajtim me afatet e përcaktuara.

Sipas Zyrës Kombëtare të Auditimit, asfaltimi i rrugëve Videje – Paskuqan – Krushevë, projekt në vlerë 95 mijë euro, ishte paraparë të realizohet brenda 60 ditëve, duke filluar nga muaji shtator 2022 dhe nuk ka përfunduar ende.

Ndërsa, në kontratën për punë shtesë për asfaltimin e rrugëve Stup -Zajm, e nënshkruar më 29 prill 2022, ishte planifikuar që puna të kryhej brenda 30 ditëve, ndërsa është vërejtur se situacioni i parë është dorëzuar më 6 tetor 2022.

Edhe për asfaltimin e rrugëve Leskoc – Ranoc – Zllakuqan, kontrata në vlerë prej 449 mijë euro e nënshkruar më 7 korrik 2021, punët nuk janë kryer ende.

ZKA ka gjetur se në projektin “Ndërtimi i rrugës dhe infrastrukturës në Volljakë – Sferkë – Qupevë”, në kontratën e nënshkruar më 22 korrik 2022 në vlerë prej 163 mijë euro, punët ishin planifikuar të kryheshin brenda 90 ditëve, por nuk janë kryer ende.

Sipas Zyrës Kombëtare të Auditimit, menaxherët e kontratës janë përgjegjës dhe duhet të sigurojnë që operatori ekonomik realizon kontratën në përputhje me afatet dhe kushtet e specifikuara.

ZKA ka theksuar se shkak i vonesave në realizimin e këtyre projekteve ishte moskoordinimi mes Zyrës së Prokurimit dhe menaxherëve të kontratave me drejtorinë përkatëse për përcaktimin e planeve adekuate dinamike.

“Dështimi për të realizuar kontratat përbrenda planeve dinamike të përcaktuara, rrezikojnë realizmin e projekteve kapitale dhe objektivave komunale”- thuhet në raport.

Lidhur me këtë çështje, ZKA ka rekomanduar që kryetari të sigurojë se drejtoritë përkatëse para nënshkrimit të kontratës të dakordohen në lidhje me vendosjen e planit dinamik, të përfundimit të punëve, në mënyrë që të mos ketë vonesa.

Për këtë gjetje, përgjigjja e menaxhmentit të Komunës është se pajtohen me gjetjet e Auditorit.

Në vitin paraprak, ZKA për komunën e Klinës kishte dhënë 12 rekomandime nga të cilat, deri në fund të auditimit për vitin 2022 janë zbatuar 5 rekomandime, 4 janë zbatuar pjesërisht dhe 3 nuk janë zbatuar ende.

Raportin e plotë me gjetjet e Auditorit për Komunën Klinës për vitin 2022 mund ta lexoni në këtë LINK.