Rama u shkruan sërish Macront dhe Scholzit: Kurti e Vuçiq është mirë të mbyllen në një konferencë

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ka thënë se u ka dërguar një letër presidentit francez, Emmanuel Macron dhe kancelarit gjerman, Olaf Scholz, ku ka kërkuar që të ketë një, siç ka thënë ai “shtyse të re” në dialogun Kosovë-Serbi.

Këtë kryeministri shqiptar e deklaroi në një konferencë me gazetar të premten në Tiranë.

“Pardje i kam nis një letër, të dytë, pas asaj të draft-statutit presidentit Macron dhe kancelarit Scholz, për dijeni edhe presidentit të Këshillit Evropian, Charles Michel, lidhur me domosdoshmërinë e një shtyse të re, konkrete, të Francës dhe Gjermanisë si kumbarët e planit franko-gjerman, me mbështetjen e SHBA-së, që plani të zbatohet me doemos” – ka thënë Edi Rama.

Ai ka prezantuar edhe një ide për të arritur marrëveshje që normalizon raportet e dy vendeve, Kosovës dhe Serbisë.

“Mendoj që është shumë e rëndësishme që dy liderët, bashkë me këdo qoftë rreth tyre, të merren dhe të mbyllën brenda në një konferencë nën kujdesin dhe trysninë kumbarëve të planit që është dakorduar si bazë, në një konferencë normalizimi, pa të drejtë dalje deri kur të përfundoj bashkëbisedimi dhe të drejtohen ato pika që, askush nuk i kundërshton por secili ia hedh tjetrit fajin sepse nuk ka vullnet” – deklaroi Edi Rama para gazetarëve.

Situata në veriun e Kosovës, sipas Ramës, është e rrezikshme. E gjithë situata, sipas shefit të qeverisë shqiptare i konvenon vetëm Rusisë.

“Degradimi i kushteve në veri të Kosovës, si rezultat i përplasjes së vazhdueshme të politikave të brendshme të dy udhëheqësve, Kosovës dhe Serbisë, po e rrit me orë klimën e tensionit. Duke rrezikuar një përplasje fatale të armatosur mes grupeve që operojnë në veriun e Kosovës dhe forcave të sigurisë, çka do të ishte një katastrofë, në mes ku do të përfshihej edhe KFOR-i” – tha ai.

“Do të ishte një kthim prapa për krejt rajonin dhe për të ardhmen e tij, që nuk mund të bëhen peng i lojës për elektorat, as të atyre në Kosovë, as atyre në Serbi” – deklaroi Rama.

Sipas kreut të qeverisë shqiptare kryeministri kosovar, Albin Kurti dhe presidenti serb, Aleksander Vuçiq nuk kanë vullnet që të zbatojnë marrëveshjet e arritura në dialogun që ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian.

“Ky rajon nuk është as i Albinit as i Aleksandrit, ky rajon është i popujve, i shteteve që e popullojnë dhe që e administrojnë dhe ky rajon ka vuajtur boll nga nacionalistët, nga nacional-folkloristet dhe nga përplasjet e vazhdueshme. Sot jemi në mes të një Evrope që me çdo kusht kërkon të mbështes paqen” – tha Rama.

“Kjo situatë i shkon për shtati vetëm një fuqie, që është Rusia, nuk i shkon për shtati asnjë tjetri. Nga kjo aftësi për t’u ulur me durim nuk fiton as Evropa, në kuptimin në mes nesh, fiton vetëm Rusia” – tha tutje kryeministri Edi Rama.

Dështimin e arritjes për një marrëveshje që normalizon marrëdhëniet mes Kosovës dhe Serbisë, Rama e ka quajtur lojë. Ai madje e krahasoi me një film vizatimor atë.

“Ka një marrëveshje që është dakorduar dhe të dyja vendet sillen sikur ajo nuk ka ndodhur. Kjo është e vërteta dhe ky është fakti. Kjo nuk mund të vazhdoj më. Duhet të dalin patjetër nga kjo lojë politike “Tomy and Jery”. Duhet të evitojmë po ashtu edhe skenarin e përkeqësimit të pozicionit të Kosovës por edhe skenarin e izolimit të Serbisë” – tha Rama.